Kirurgu nga Ferizaj pranon se ka marrë para nga pacientët

Ferizaj

Kirurgu nga Ferizaj pranon se ka marrë para nga pacientët

Më: 15 nëntor 2017 Në ora: 09:08
Ilustrim

Në seancën e së martës të mbajtur në Gjykatën Themelore në Ferizaj, Kirurgu i Spitalit Rajonal të Ferizajt, tani i akuzuari për marrje ryshfeti, Imri Vishi, pohoi se disa pacientë – në këtë rast Minushe Mani, Ajshe Hajdari, Arif Lika, Muharrem Bruti si dhe Elez e Hetem Ahmeti – me vullnetin e tyre i kishin lënë atij si dhuratë apo shpërblim, të holla për intervenimet kirurgjike që i kishin kryer tek ai. Ndërkaq, mohoi që ndonjërit prej këtyre personave, t’u këtë kërkuar ndonjë përfitim material apo çfarëdo dhurate tjetër për punën që ai e kishte kryer si kirurg.

Sipas tij, dhënia e dhuratave nuk është e ndaluar dhe një gjë e tillë tha se është e rregulluar me një rregullore të Ministrisë së Shëndetësisë.

“Sipas njohurive që kam, ekziston rregullorja e Ministrisë së Shëndetësisë që rregullon marrjen e dhuratave nga zyrtari – punëtori i shëndetësisë dhe, sipas kësaj rregullore, zyrtari shëndetësor ka të drejtë të pranoj dhuratë edhe në vlerë monetare në shumë deri në 50 euro. Por, nëse mjeku – punëtori i spitalit – e ka pranuar këtë shumë e ka obligim që për këtë ta njoftoj drejtorinë e spitalit”, deklaroi kështu i akuzuari.

I njëjti, gjithashtu u pyet edhe rreth parave në vlerë prej 10,570 eurosh, të cilat i ishin gjetur dhe sekuestruar në shtëpinë e tij me rastin e kontrollit nga hetuesit policor. Përkitazi me këtë shumë të parave, i akuzuari deklaroi se një pjesë prej rreth 8,000 eurosh kanë qenë para të cilat ia kishte huazuar mikut të tij, dhe ai ia kishte kthyer ato. Kurse, pjesa tjetër e të hollave, siç tha, kanë qenë pjesë e kursimeve të tij dhe anëtarëve të tjerë të familjes.

Në këtë shqyrtim gjyqësor, po ashtu dha deklaratën e tij edhe dëshmitari, njëherësh i dëmtuari në këtë rast, Hetem Ahmeti.

Ahmeti deklaroi se gjatë vitit 2014 kishte kryer një operim në spitalin e Ferizajt ku këtë operim ai tha se e kishte kryer tani i akuzuari. Ky dëshmitar, ndonëse disa herë u ballafaqua me deklaratën e tij të dhënë në polici, ku kishte deklaruar se tani të akuzuarit Vishi i kishte dhënë para në vlerë prej 200 eurosh për operimin që e kishte kryer, gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor ai mohoi se ka bërë një gjë të tillë.

Seanca e radhës për këtë çështje u caktua të vazhdoj më 7 dhjetor 2017, në ora 09:00. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat