Labinot Tahiri tregon pse AKR refuzoi ofertën e PDK-së në Ferizaj

Ferizaj

Labinot Tahiri tregon pse AKR refuzoi ofertën e PDK-së në Ferizaj

Më: 12 nëntor 2017 Në ora: 17:22
Behgjet Pacolli dhe Labinot Tahiri

Kryetari i degës së Aleancës Kosova e Re (AKR) në Komunën e Ferizajt, Labinot Tahiri ka thënë se AKR-ja pranoi ofertën e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për koalicion në Ferizaj, pasi sic tha ai, kjo marrëveshje është bërë publikisht.

Tahiri, në një prononcim për Insajderin, ka thënë se AKR-ja ka pasur ofertë edhe nga kandidati i PDK-së, Agim Aliu, por që “oferta e tij ka qenë interne” dhe për këtë arsye partia e tij s’e ka pranuar.

“Ne kemi kërkuar që të kemi ofertë konkrete edhe nga Agim Aliu dhe të jetë e publikuar për opinionin. Ata kanë dashur të bëjnë ofertë interne, por unë nuk mundem me punu me oferta interne. Partia dhe z.Pacolli kërkon që të jetë cdo gjë publike”, ka thënë Tahiri.

Ai ka reaguar ndaj deklaratave të ish-kandidatit të AKR-së për kryetar të Ferizajt, Amir Rexhepi, i cili ka thënë se nuk është pyetur nga dega e partisë për marrëveshjen e koalicionit me LDK-në.

“Unanimisht ka votuar dega jonë në Ferizaj, për të shkuar në koalicion me LDK-në. Në bazë të ofertës që kemi, kjo ofertë është për publikun. Normalisht miratimi i Behgjetit është ‘amin’ për sa i përket anës time dhe partisë”, ka thënë Tahiri.

Fakti që AKR-ja ka votuar për koalicionin PAN në formimin e qeverisë dy muaj më parë, dhe sot në Ferizaj ka nënshkruar një marrëveshje me partinë opozitare parlamentare, LDK-në, për nënkryetarin e AKR-së nuk është proces negativ.

“Mos të harrojmë që unë jam përkrahës i PAN-it që e kam votuar në Parlament, por erdhi momenti që të jemi koalicion me LDK-në; s’do të thotë gjë e keqe”, deklaroi Tahiri.

AKR-ja dhe LDK-ja nënshkruan sot një marrëveshje koalicioni për garën e balotazhit në Komunën e Ferizajt.

Dy kandidatët që do të shkojnë në balotazh në Ferizaj janë: Agim Aliu nga PDK dhe Muharrem Sfarqa nga LDK.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat