Fazliu: Për katër vjet hap 10 mijë vende pune, Ferizajn e bëj “Kaliforni të vogël” të Ballkanit

Ferizaj

Fazliu: Për katër vjet hap 10 mijë vende pune, Ferizajn e bëj “Kaliforni të vogël” të Ballkanit

Më: 17 tetor 2017 Në ora: 19:01
, Bashkim Fazliu – Migjeni

Kandidati për kryetar të Ferizajt nga iniciativa qytetare “Nisma qytetare për Ferizajn”, Bashkim Fazliu – Migjeni ka thënë se brenda katër vitesh do të hapë dhjetë mijë vende pune në këtë komunë.

“Kam ofruar 10 mijë vende pune me mentalitetin e inovacionit, jo të asfaltit e kanalizimit”.

“Kjo do të bëhet për katër vjet, kurse për tetë vjet Ferizaj do të jetë një “Kaliforni e Vogël” e Ballkanit”, ka thënë ai, njofton Klan Kosova.

Fazliu ka thënë në lidhje me punësimin se po të kandidonte në Prishtinë do të hapte 30 mijë vende pune.

“Në momentin që unë fitoj, që në janar filloj kontaktet me ambasadat, investitorë të huaj përfshirë ata kinezë. Nëse nuk zgjidhem ferizajasit do të humbin mundësinë që të kenë një kryetar novator”, është shprehur ai.

Ai më tej ka thënë se është e pafalshme që 18 nga paslufta qytetarët e Ferizajt përballen me probleme si ujësjellësi dhe kanalizimi.

“Kjo është punë që zgjidhet brenda vitit të parë. Problemi me kanalizim është i thjeshtë. Komuna i ka nëntë milionë buxhet për shpenzime kapitale, ato s’ka qenë dashur të futen në sheshe, është dashur të investohen në kanalizim”.

“Duhet ikur nga luksi. Nuk është arritje të jesh kryetar”, ka pohuar ai.

Fazliu ka folur edhe për kundërkandidatët në gatën për Ferizajn ku ka thënë se ata nuk kanë kurrfarë arritje.

“Ata prapa vetes kanë vetëm një elektorat të verbër”, ka deklaruar ai.

Më tej ai ka folur edhe për gjuhën e përdorur gjatë fushatës, ndaj tyre.

“Nuk i kam thënë asgjë askujt më shumë se që janë. Ata nuk janë asgjë. Termi katundar ka të bëjë me mentalitet dhe qasjen ndaj gjërave, jo vendi ku jeton, por mënyra si jeton. Është dëshmuar gjatë këtyre javëve që nuk kanë kreativitet”, ka shtuar ai.

Më tej Fazliu ka thënë se Nisma për Kosovën e Fatmir Limaj u ka nxjerr telashe me emrin pasi siç thotë ua kanë kopjuar atë.

“Opinioni e dinë si Nisma qytetare jemi formuar më 3 prill 2014, kurse Nisma tjetër është krijuar në 2014. Shumë çështje në Kosovë mbesin gjysmë pasi njerëzit janë të pritur për të marrë idetë e tjerëve”, ka theksuar ai.

Pastaj ai ka treguar se pse e thërrasin Migjen.

“Jam marr me shkrime qysh nga shkolla fillore dhe qysh atëherë më kanë thirrur kështu. Është një emër që të gjithë ushtarët e dinë, nga koha e luftës, por edhe pas luftës në kohën kur jam marrë me inovacione”, është shprehur ai ndër të tjera.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat