May sulmon opozitën

Evropë

May sulmon opozitën

Më: 9 dhjetor 2018 Në ora: 21:38
Theresa May

Kryeministrja britanike paralajmëron se e ardhmja e Britanisë së Madhe është në rrezik, nëse Parlamenti nuk miraton marrëveshjen që Londra arriti me Brukselin për shkëputjen nga Bashkimi Europian. Në një intervistë për të përjavshmen ‘Mail on Sunday’, Theresa May akuzon opozitën se po nxit zgjedhje të reja pa marrë parasysh kostot e rënda.

“Nëse nuk miratohet marrëveshja e Brexit, kjo do të thotë paqartësi të rënda me rrezikshmëri të lartë për kombin. Kemi një lider opozite që nuk do t’ia dijë për tjetër gjë veç zgjedhjeve të përgjithshme, pa marrë parasysh kostot që kanë për vendin. Besoj se nëse Jeremy Corbyn fut duart në pushtet, ky është një rrezik i papërballueshëm”.

Mesazhin ia drejtoi kryesisht rebelëve brenda radhëve të konservatorëve. Më shumë se 100 deputetë të partisë së kryeministres kanë paralajmëruar votën kundër marrëveshjes me Brukselin, pasi thonë se me planin e qeverisë vendi hyn nën vasalitetin e Bashkimit Europian. Theresa May nuk i ka votat për të miratuar marrëveshjen në seancën e 11 Dhjetorit.

Megjithatë ajo nuk pranoi ofertën e Komisionit Europian për t’a shtyrë afatin e largimit të Britanisë për t’i dhënë mundësi dialogut të brendshëm politik, për të shmangur katastrofën financiare nëse vendi del pa marrëveshje nga unioni, një propozim që mbështetet nga konservatorët rebelë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat