Demonstrata të mëdha kundër racizmit dhe ndarjeve në Gjermani

Evropë

Demonstrata të mëdha kundër racizmit dhe ndarjeve në Gjermani

Më: 14 tetor 2018 Në ora: 14:36
Berlin

Një spektër i gjërë organizatash shoqërore dhe politike ka organizuar në Berlin dhe shumë qytete të tjera demonstrata të mëdha kundër racizmit dhe ndarjeve. Në protestën e Berlinit morën pjesë mbi 240.000 njerëz.

Nën qiellin e hapur u mblodhën sipas organizatorëve në Berlin plot 242.000 njerëz për të marrë pjesë në demonstratat e mëdha me titull "Unteilbar" (Të pandashëm). "Jemi jashtëzakonisht të kënaqur me pjesëmarrjen", tha bashkiniciatori  i protestës për një Evropë të bashkuar dhe kundër narjeve e racizmit, Felix Müller. Organizatorët kishin parashikuar se në Berlin do të mblidhen vetëm rreth 40.000 njerëz. Policia fliste për dhjetëra mijëra njerëz, ndërsa mediat pohojnë se pohimet e organizatorëve për pjesëmarrjen shumë masive, mund të jenë të vërteta. Gjatë demonstratës nuk ka pasur ndonjë incident serioz.

Image
Pamje nga demonstratat

Pjesëmarrësit brohorisnin "Thuaje me zë të lartë, thuaje qartë, ne jemi të pandashëm". "Këtu nuk ka vend për nazistë", shkruante në shumë pankarta. Shumë pjesëmarrës mbanin në duar simbole paqësore. Ndërsa në një pankartë të madhe shkruante "Solidaritet me viktimat e të djathtës, dhunës raciste dhe antisemitiste".

"Të drejtat e njeriut duhet të respektohen"

Në skenën e përgatitur në Alexanderplatz u rikujtuan normat e Kartës së përgjithshme të të drejtave të njeriut, të miratuar para 70 vitesh. "Ti ke të drejtë të mendosh lirshëm, të besosh ku dhe kë të duash, të mbrohesh nga përndjekjet dhe dhuna, të martohesh me kë të të duash - ide madhështore!" Vlerat njerëzore dhe të drejtat e njeriut janë baza e një shoqërie moderne, u tha në fjalime.

Zëdhënësja e "Unteilbar" Theresa Hartmann apeloi tek shoqëria civile. "Ka ardhur koha që njerëzit të kuptojnë se ne jemi ata që duhet të nisim diçka, nëse duam të ndryshojmë gjërat." Në protesta merrnin pjesë njerëz nga të gjitha strukturat e shoqërisë, femra dhe meshkujt, të moshuar dhe fëmijë, njerëz nga Gjeramania dhe vende të tjera.

Image
Pamje nga demonstratat

Kolona prej gjashtë kilometrash parakaloi nëpër qendër të Berlinit, e në mesin e tyre ishin edhe këngëtarët Herbert Grönemeyer, Konstantin Wecker dhe Dota Kehr.

Kritikat ndaj Wagenknecht dhe CDU

"Unteilbar" është një shoqatë ku përfaqësohen me qindra organizata dhe shoqata nga shoqëria civile, partitë politike, kisha, sindikatat. Ato thonë se në shoqërinë gjermane po zhvillohet një lëvizje shumë e rrezikshme në të djathtë, ku racizmi dhe shkelja e të drejtave janë bërë përditshmëri. Ndaj ka ardhur koha të ngrihet zëri kundër tyre. Ndër pjesëmarrësit ishin edhe publicistët Jan Böhmermann dhe Carolin Emcke, shoqatat e mjekve, shefja e SPD Andrea Nahles, ministri i Jashtëm Heiko Maas. SPD, e Majta dhe Ekologjistët janë ndër nënshkruest e inciativës.

Image
Pamje nga demonstratat

Por iniciativës nuk i është bashkangjitur kryetarja e të Majtës Sahra Wagenknecht, e cila ka kritikuar disa prej qëllimeve të organizimit. Ndonëse edhe ajo mbështetë inicitivat kundër lëvzijes së shoqërisë në të djathtë dhe racizmit. As CDU e landit të Berlinit nuk e ka mbështetur pa rezerva iniciativën "Unteilbar", sepse nuk ishte dakord me mënyrën e organizimit dhe mbështetjen nga disa organizata. Për këtë shkak janë kritikuar nga organizatorët dhe demonstruesit. Demonstrata në shenjë mbështetjeje të iniciativës janë mbajtur edhe në disa qytete të tjera. Nuk ka të dhëna për ndonjë incident serioz./dw

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat