Nga krahasimet me nazistët në kurs pajtimi

Evropë

Nga krahasimet me nazistët në kurs pajtimi

Më: 26 shtator 2018 Në ora: 12:59
Recep Tayyip Erdogani

Erdogani ka qenë shumë herë në Gjermani, por asnjëherë nuk ka qenë kaq e kontestueshme vizita e tij në Gjermani sa këtë herë. Me vizitën shtetërore Presidenti turk do të harrojë grindjet dhe tensionet.

Vitin e kaluar Recep Tayyip Erdogani e akuzoi Kancelaren Merkel për "metoda naziste". Ishte një pikë e ulët e marrëdhënieve gjermano-turke. Tani Presidenti dëshiron pak para vizitës së tij shtetërore në Gjermani "fundin e plotë" të tensioneve me Gjermaninë. Një shkak për kthesën është me siguri grindja me SHBA për shkak të një prifti protestant amerikan që mbahet i arrestuar në Turqi. Sanksionet e SHBA e kanë shtyrë Turqinë në një krizë të thellë monetare. Prandaj Turqia e sheh shpëtimin në përmirësimin e marrëdhënieve me Evropën dhe para së gjithash me Gjermaninë, si partneren kryesore tregtare. 

Kalimi nga ashpërsia maksimale në kurs pajtimi tregon para së gjithash një gjë: Presidenti është pragmatik. Edhe kjo e ka ndihmuar këtë politikan të jashtëzakonshëm që të qëndrojë kaq gjatë në pushtet. Që prej rreth 16 vjetësh Erdogani (64 vjeç) është ai që përcakton fatet e Turqisë. Kur në qershor 2015 partia e tij islamike-konservatore AKP humbi shumicën absolute në Parlament, ai organizoi pas pak zgjedhje të reja. Menjëherë u rivendosën raportet e vjetra të pushtetit.

Në zgjedhjet presidenciale në fund të qershorit Erdogani fitoi me rreth 53 përqind të votave - dhe kjo megjithëse opozita që përndryshe nuk qe dalluar, bëri një fushatë të mrekullueshme elektorale. Që atëherë Erdogani është në krye të sistemit presidencial të krijuar prej tij, edhe si kryetar shteti, ashtu edhe si kryetar partie.

Image
Para vizitës në Gjermani, Erdogan u takua me ministrin e Jashtëm gjerman, Heiko Maas

Reagime të përmbajtura nga Gjermania

Reagimet nga Gjermania për tonet e reja, të buta të Erdoganit, megjithatë janë të përmbajtura. Zyra Presidenciale në Berlin u bë e ditur të hënën se deri sa të zhvillohet besim i ri, është "ende një rrugë e gjatë". Sepse sipas pikëpamjes së Perëndimit, Erdogani ka ndryshuar më mënyrë dramatike.

Në vitin 2004 Erdoganin në postin e kryeministrit të Turqisë e kurorëzuan madje "Evropian të vitit". Kancelari i atëhershëm gjerman, Gerhard Schröder e lëvdoi Erdoganin për "angazhimin për më shumë liri, një mbrojtje më të mirë të të drejtave të njeriut dhe për më pak tutelë shtetërore". Nga pikëpamja e kritikëve të tij Erdogani është pozicionuar sot kundër gjithë këtyre vlerave.

140.000 vetë të pushuar nga puna dhe qindra të arrestuar në Turqi

Pas përpjekjes për puç në 2016 ai arrestoi gjatë gjendjes së jashtëzakonshme që zgjati dy vjet dhe që përfundoi vetëm në verën e këtij viti, dhjetëra mijëra vetë si gjoja armiq të shtetit dhe terroristë. Rreth 140.000 vetë u pushuan nga puna nga shërbimi për shtetin. Por masat goditën edhe gazetarët, veprimtarët e të drejtave të njeriut dhe intelektualët, të cilët qenë shprehur në mënyrë kritike ndaj shtetit. Edhe sot arrestimet dhe pushimet nga puna vazhdojnë.

Pas zgjedhjeve të qershorit, me një numër të madh dekretesh - për të cilat atij tani nuk i duhet më aprovimi i parlamentit - ai e ka riorganizuar shtetin sipas vullnetit të tij duke i kaluar shumë kompetenca në zyrën e tij presidenciale. Numrin e ministrive ai e pakësoi. Politikanët e opozitës paralajmërojnë për rrezikun e "sundimit të një personi"./dw

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat