Koment: Sinjale shqetësuese

Evropë

Koment: Sinjale shqetësuese

Më: 20 shtator 2018 Në ora: 12:19
Hans-Georg Maaßen

Të gjithë shpresonin për qartësi nga Zyra Kancelarore. Maaßen-i duhet të largohej nga posti. Ai vërtet largohet, por duke u ngritur në detyrë. Një kompromis që mund të shqetësojë shumë zgjedhës, mendon Rosalia Romaniec.

Sërish donte edhe pesë minuta para se të shkonte ora dymbëdhjetë, kur Merkeli e zgjidhi me mënyrën e saj një problem të nxitur prej kohësh. Megjithë kundërshtimet, ajo shpëtoi nga shefi i kontestuar i Zyrës Federale të Mbrojtjes së Kushtetutës dhe e paqëtoi koalicionin.

Një zgjidhje tipike e Merkelit: të gjithë qenë në gjendje që ta ruanin fytyrën - SPD, e cila u pozicionua shumë qartë dhe kërkoi dorëheqjen e Maaßenit, edhe Seehoferi, i cili i doli përpara atij për ta mbrojtur dhe që e mbron edhe më tej. Për më shumë: ai i dha Maaßenit në fund një detyrë të lartë - si Sekretar Shteti në Ministrinë e Brendshme.

Merkeli e ka arritur objektivin e saj më të rëndësishëm: koalicioni ekziston edhe më tej dhe vazhdon punën. Por meqenëse ky rast përmbante në vetvete potencial për të shpërthyer një krizë të gjerë, nga pikëpamja e politikës së pushtetit zgjidhja është një vepër arti. Edhe nëse për shumë zgjedhës me siguri kjo është shqetësuese.

Në ring me kancelaren

Edhe një herë shkurt sa për kujtesë: Hans-Georg Maaßen, shef i Shërbimit të fshehtë të brendshëm i vuri pak javë më parë pikëpyetje besueshmërisë së Merkelit. Një proces i pazakontë. Ai pohoi publikisht se në Chemnitz nuk ka pasur gjah ndaj të huajve - ndryshe nga ajo që thoshte më parë Merkeli.

Meqenëse Maaßeni nuk qe në gjendje që t'i provonte pohimet e tij, papritur në diskutim u vu besueshmëria e tij. Në vend që të forconte ndjenjën e besimit të njerëzve, ai mbolli frikë dhe mosbesim. Edhe në rastet e mëparshme, si në vlerësimin e terrorit të celulës neonaziste të NSU-së dhe të atentatit të Anis Amrit në tregun e Krishtlindjeve, ai nuk bëri figurë të mirë. Që të ngresh në detyrë një njeri të tillë është me rreziqe.

Image
Rosalia Romaniec

Dëme kolaterale

Ajo që për një kohë të gjatë konsiderohej anë e fortë e Merkelit - aftësia për të moderuar konfliktet - tani mund të interpretohet gjithnjë e më shumë si dobësi. Hap pas hapi drejt kompromisit (të kalbur) tjetër, për të mundur që në njëfarë mënyrë të vazhdojë puna.

Mbetet çështja se si do ta vlerësojnë qytetarët më tej një gjë të tillë. Njëri, që nuk e bëri si duhet punën e tij më parë, ngrihet në detyrë. Njëri, që fyen publikisht kryetaren e qeverisë dhe për të cilin thuhet se është më i afërt se duhet me AfD-në, ecën më tej në karrierë. A është kjo një zgjidhje politike, që do t'u shijojë qytetarëve? Pyetje interesante.

Kur rreth nëntë milionë bavarezë do të shkojnë pas katër javësh në zgjedhje, ata do të vendosin jo vetëm për të ardhmen e shefit të CSU-së, Horst Seehofer, por do të vlerësojnë edhe këtë kompromis. E vëmë me bast  se do ta vlerësojnë pak zgjidhjen e tanishme?

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat