I riu ankohet për punë, Macron: E gjen sa të kalosh rrugën

Evropë

I riu ankohet për punë, Macron: E gjen sa të kalosh rrugën

Më: 17 shtator 2018 Në ora: 00:04
Emmanuel Macron i dha një të riu, me profesion kopshtar, që iu ankua se nuk kishte punë.

“Mund t’ju gjej një vend pune vetëm duke kaluar rrugën”. Kjo ishte përgjigjja që Presidenti francez, Emmanuel Macron i dha një të riu, me profesion kopshtar, që iu ankua se nuk kishte punë.

Vetë i riu iu përgjigj duke thënë se punëdhënësit nuk i ishin përgjigjur aplikimeve të tij.

Franca ka një shkallë papunësie prej rreth 10%, që është mbi mesataren evropiane. Macron është përpjekur të ndërhyjë duke e bërë më të lehtë për bizneset të punësojnë dhe pushojnë nga puna stafin dhe ka reduktuar sektorin shtetëror, por është përballur me protesta.

Të dielën, Macron merrte pjesë në një event kulturor, kur edhe debati me kopshtarin e ri u fiksua nga kamerat. “Nëse je i gatshëm dhe i motivuar, në hotele, kafene dhe ndërtim, kudo që shkoj, njerëzit më thonë se duan staf”, tha Macron.

I riu e sqaron se ishte regjistruar si punëkërkues, kishte nisur CV dhe letra motivimi ngado, por nuk kishte pasur asnjë përgjigje. Por, Macron insistoi duke thënë se disa kafene në zonë kishin nevojë për staf. “Vazhdo kërko”, tha ai.

Papunësia në Francë është më e lartë sesa në Holandë, Gjermani apo edhe Britani. Rreth 3 milionë njerëz janë në kërkim të një vendi pune. Papunësia mes të rinjve është veçanërisht e madhe, me një ndër 4 të rinj nën 25 vjeç që nuk kanë një vend pune.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat