Marrëveshje Gjermani-Itali për kthimin mbrapsht të emigrantëve

Evropë

Marrëveshje Gjermani-Itali për kthimin mbrapsht të emigrantëve

Më: 13 shtator 2018 Në ora: 10:56
Horst Seehofer

Ministri i Brendshëm gjerman, Horst Seehofer njoftoi se Gjermania ka arritur një marrëveshje me Italinë për të rikthyer emigrantët që kanë aplikuar për azil në vendin e Apenineve, marrëveshje të cilën ai pret të nënshkruhet shpejt.

Zhvillimi i fundit vjen pasi qeveria gjermane kishte arritur gjatë gushtit marrëveshje të ngjashme edhe me Greqinë e Spanjën, për të kthyer emigrantët mbrapsht në këto vende brenda 48 orësh, nëse ata kanë aplikuar për azil në to.

“Sapo më informuan se marrëveshja me Italinë është arritur”, tha Seehofer gjatë së enjtes përpara dhomës së ulët të Bundestagut gjerman. “Tashmë nevojiten vetëm firmat tona, ajo ime dhe e kolegut tim italian”, shtoi më tej Seehofer, duke shtuar se kjo gjë ndoshta do të marrë pak ditë kohë.

Marrëveshjet janë pjesë e kompromisit mes kristiandemokratëve të Kancelares Angela Merkel dhe Unionit Kristian-Social bavarez të Seehoferit, që duket se do të zgjidhë ngërçin mbi kthimin mbrapsht të emigrantëve, që rrezikuan deri në zhbërjen e koalicionit dhe rrëzimin e qeverisë gjermane.

Më shumë se 1.6 milionë emigrantë kanë mbërritur në Gjermani që prej mesit të vitit 2014, duke shkaktuar tensione dhe duke katapultuar “Alternativën për Gjermaninë”, një parti e ekstremit të djathtë, të futet në Parlamentin federal.

Merkel i ka dalë shpeshherë në mbrojtje vendimit të saj të vitit 2015 për të pranuar qindra mijëra emigrantë, që e justifikoi si nevojshmëri humanitare, por që prej atëherë është zotuar të parandalojë pranimin e një fluksi të ngjashëm.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat