PE vendos për ndëshkimin ndaj Hungarisë, mund t’i hiqet e drejta e votës

Evropë

PE vendos për ndëshkimin ndaj Hungarisë, mund t’i hiqet e drejta e votës

Më: 12 shtator 2018 Në ora: 13:03
Parlamenti Evropian

Parlamenti Evropian kërkon të fillojë një proces ndëshkimi ndaj Hungarisë.

Akuzat janë shumë të forta, ndërkohë që kryeministri hungarez mbrohet dhe premton se nuk do të dorëzohet edhe kundrejt dënimeve. Parlamenti Evropian do të votojë gjatë ditës së sotme, ndërkohë që më herët dëgjoi Viktor Orbanin, i cili mbërriti në Parlamentin Evropian me 12 minuta vonesë.

Lista e akuzave është e gjatë. Qeveria hungareze akuzohet se ka shkelur në mënyrë sistematike të drejtat e njeriut, të drejtat e pakicave, lirinë e shkencës, ka vepruar kundër tolerancës dhe solidaritetit.

Deputetët evropianë kërkuan një proces sipas “Artikullit 7” të Pakteve të BE-së. Këshillit të Ministrave i kërkohet të përcaktojë sa është rrezikuar shteti i së drejtës në Hungari dhe të marrë masa për këtë.

Nëse Viktor Orban vazhdon të mos dëgjojë, atëherë Hungarisë mund t’i hiqet e drejta e votës në BE. Këtë hap drastik, një proces sipas “Artikullit 7”, Parlamenti Evropian nuk e ka ndërmarrë asnjëherë.

Vet Orban, edhe para deputetëve evropianë hodhi poshtë akuzat dhe u hodh në kundërsulm.

“Ju merrni përgjegjësi të madhe, kur doni t’i vini vulën një vendi dhe doni të përjashtoni një popull”, tha ai, duke pretenduar se Hungaria po dënohet sepse nuk do që të ketë emigrantë.

Votimi në seancë do të bëhet gjatë ditës dhe për “Artikullin 7” duhet të arrihet shumica prej dy të tretash. Të paktën gjysma e deputetëve duhet të marrin pjesë në votim.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat