Ministri i Brendshëm italian, Matteo Salvini kërcënoi sërish sot me kthimin në Libi të emigrantëve, pasi rreth 170 emigrantë ndodhen aktualisht në një anije në Katania të Sicilisë, e cila nuk është lejuar të zbarkojë.
”Ose Evropa të nisë të mbrojë seriozisht kufijtë e saj dhe të ndajë barrën e pritjes së emigrantëve, ose ne do të nisim kthimin e tyre në portet nga ku u nisën’’, ishte një postim në Twitter i Salvinit i cili mban gjithashtu postin e zëvendëskryeministrit dhe liderit të Ligës (ekstremi i djathtë).
”Italia e ka përmbushur tashmë detyrën e saj, dhe kur është tepër, është tepër”, përfundoi Salvini.
Rreth 170 emigrantë ndodhen në anijen e rojeve bregdetare italiane ”Diciotti” e ankoruar në portin e Katanias mbrëmjen e së hënës ”për një ndalesë teknike”, e cila nuk është lejuar të zbarkojë pasagjerët në tokë, pesë ditë pasi u shpëtuan në det të hapur.