Merkel në Spanjë, takon Sanchez për emigracionin

Evropë

Merkel në Spanjë, takon Sanchez për emigracionin

Më: 12 gusht 2018 Në ora: 18:01
Angela Merkel dhe Pedro Sánchez

Kancelarja Angela Merkel e përshëndeti marrëveshjen me Spanjën për pranimin e refugjatëve që dëbohen nga Gjermania apo Austria në rast se kanë kërkuar më parë azil në Spanjë.

Kjo marrëveshjen mund të vendosë “më shumë rregull në lëvizjet migratore dytësore”, tha Merkel në Sanlucar de Barrameda, ku u takua me kryeministrin spanjoll Pedro Sánchez.

Që nga kjo fundjavë refugjatët që kapen në kufirin gjermano-austriak mund të dëbohen për në Spanjë brenda 48 orëve në rast se ata kanë kërkuar atje azil. Megjithatë kjo me sa duket do të ndodhë rrallë, sepse sipas Ministrisë së Brendshme Gjermane që nga mesi i qershorit gjatë kontrolleve kufitare në Bavari nuk ka pasur asnjë rast të tillë.

Pyetjes së gazetarëve se nëse në kushte të tilla marrëveshja nuk ka më tepër se vlerë simbolike, Merkel u përgjigj se kjo marrëveshje bën të qartë se “Gjermania dhe Spanja mendojnë për një zgjidhje evropiane” dhe për këtë ajo e vlerëson marrëveshjen “shumë, shumë lart”.

Kancelarja theksoi se “negociata intensive” po zhvillohen edhe për një marrëveshje të ngjashme me Greqinë. Jo vetëm në Gjermani por edhe në Spanjë për çështjen e emigracionit po debatohet me forcë, pasi gjithnjë e më shumë emigrantë po u drejtohen brigjeve të Spanjës duke e vënë vendin në kufijtë e kapaciteteve të veta.

Ngushtica e Gjibraltarit midis Spanjës dhe Marokut është në pikën më të ngushtë vetëm rreth 14 kilometra. Dhe aktualisht, shumë emigrantë po përpiqen të kalojnë përmes Detit Mesdhe nga Afrika e Veriut në Spanjë. Krahasuar me vitin e kaluar numri i refugjatëve në Spanjë është trefishuar.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat