Kaos në Bukuresht, 440 të plagosur

Evropë

Kaos në Bukuresht, 440 të plagosur

Më: 11 gusht 2018 Në ora: 08:50
Rumani

(E plotësuar) - Autoritetet rumune kanë bërë të ditur se 440 persona janë lënduar, në mesin e të cilëve 24 pjesëtarë të Policisë, në konfliktin mes demonstruesve dhe Policisë.

Përleshjet kanë filluar në Bukuresht gjatë protestave të dhjetëra- mijëra rumunëve që jetojnë jashtë vendit, e të cilët nuk janë të kënaqur me punën e Qeverisë.

Shërbimi për situata të jashtëzakonshme bën të ditur se 65 persona prej tyre 9 policë janë dërguar në spital.

Përleshjet kanë filluar mbrëmë kur disa dhjetëra mijëra protestues kanë tentuar ta çajnë kordonin e Policisë që ishte vendosur rreth objekteve qeveritare, shkruan Asociated Press.

Shumë persona janë arrestuar, ndërsa gjatë natës në disa raste është përdorur edhe topi i ujit.

Siç bëjnë të ditur shërbimet shëndetësore në Bukuresht në mesin e të lënduarve ka demonstrues dhe policë të cilët kanë marr lëndime në kokë derisa disa tjerë janë lënduar nga gazi lotsjellës.

Presidenti i Rumanisë Klaus Iohannis ,ka dënuar “intervenimin brutal të Policisë”, të cilën e ka quajtur jo proporcionale me protestuesit.

Rumunët që jetojnë jashtë vendit të premten kanë filluar protestën kundër Qeverisë së majtë në Bukuresht duke kërkuar dorëheqjen dhe zgjedhje të parakohshme.

Rreth tre milionë rumunë jetojnë jashtë vendin dhe tregojnë se janë larguar nga atdheu i tyre për shkak të korrupsionit, pagave të vogla dhe mundësive të pakta për të jetuar.

Rumani, përplasje polici-protestues antiqeveritarë

Policia është përplasur me dhjetëra mijëra protestues antiqeveritarë në mbarë Rumaninë. Një turmë mes 30 mijë e 50 mijë personash, përfshi edhe shumë të riatdhesuar, morën pjesë në protestat mbarëkombëtare, sipas asaj që theksojnë mediet vendase.

Disa prej protestuesve në kryeqytetin rumun, Bukuresht, hodhën shishe dhe pllakat e rrugës kundrejt efektivëve të policisë, ndërsa këta të fundit u kundërpërgjigjën me përdorimin e gazit lotsjellës, sprait djegës e madje edhe hedhëseve të ujit.

Rreth 100 protestues iu nënshtruan kujdesit të nevojshëm shëndetësor, sikurse edhe 10 policë morën ndihmën e parë sipas shërbimeve të emergjencave. Një grup protestuesish u përpoqën të çanin rrethimin dhe të hynin në ndërtesën qeveritare në Bukureshtit, por u zmbrapsën nga kordoni i sigurisë së policisë.

Disa të tjerë mbanin flamuj rumunë e atë të Bashkimit Europian, teksa thërrisnin slogane të ndryshme e u binin daulleve. Protestuesit kërkuan dorëheqjen e qeverisë, pasi kundërshtojnë përpjekjet e perceptuara prej tyre për dobësimin e sistemit të drejtësisë, përpjekje këto nga socialdemokratët (PSD) në pushtet, sikurse edhe për pagat e ulëta dhe korrupsioni i shtrirë gjerësisht në vend.

Protesta kundër partisë në pushtet PSD janë zhvilluar prej muajsh në Rumani. Në korrik, presidenti Klaus Iohannis miratoi shkarkimin e prokurores antikorrupsion, Laura Codruta Kovesi, e cila po udhëhiqte hetimet ndaj politikanëve lokalë e qendrorë për ryshfete. Presidenti Iohannis ishte vënë nën një presion gjithnjë e në rritje nga qeveria e PSD-së për të pranuar shkarkimin e saj.

Rreth 150 mijë shtetas rumunë u mblodhën në Bukuresht vitin e kaluar, pasi qeveria kaloi një dekret që do të mund të lironte të burgosurit e dënuar mbi akuza për korrupsion. Shumë shtetas rumunë të tjerë kanë ardhur nga emigracioni për t’iu bashkëngjitur protestave.

Sipas Bankës Botërore, rreth çereku i popullsisë së Rumanisë – afro 3-5 milionë banorë, – jetojnë dhe punojnë jashtë vendit, duke kthyer mbrapsht në vendlindje rreth 5 miliardë dollarë, në një nga vendet më pak të zhvilluara të Bashkimit Europian.

Image
Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat