Shtyhet greva e Croatia Airlines

Evropë

Shtyhet greva e Croatia Airlines

Më: 7 gusht 2018 Në ora: 16:57
Croatia Airlines

Gjykata e Qarkut në Zagreb lëshoi sot një masë të përkohshme për të shtyrë një grevë të pilotëve dhe anëtarëve të ekuipazhit të kompanisë ajrore Croatia Airlines, e paralajmëruar për nesër.

Sipas mediave kroate, gjykata pranoi pretendimet e ministrit të Transportit Oleg Butkoviq se greva do të shkaktonte dëme të mëdha.

Ndryshe, dje menaxhmenti i kompanisë ajrore Croatia Airlines dhe sindikata ORCA dështuan të arrijnë marrëveshje, pas së cilës u paralajmërua se do të mbahet grevë më 8 gusht, duke filluar nga ora gjashtë në mëngjes.

Kompania tha në një deklaratë se ishte e gatshme të vazhdonte dialogun, duke shtuar se vazhdon "të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për të minimizuar efektet e dëmshme të grevës së shpallur.

ORCA vazhdon kërkesat e saj nga prilli 2017, të cilat paraqesin një kosto shtesë për kompaninë prej rreth shtatë milionë euro, e cila për kompaninë  është e papranueshme.

Croatia Airlines javën e kaluar njoftoi se humbjet për kompaninë do të ishin 800.000 euro për çdo ditë greve dhe se ajo do të prekë gati 7.000 udhëtarë në ditën e parë të saj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat