G20- Argjentinë: Përpjekje për shpëtimin e tregtisë së lirë

Evropë

G20- Argjentinë: Përpjekje për shpëtimin e tregtisë së lirë

Më: 22 korrik 2018 Në ora: 09:49
Ministri amerikan i Financave, Steven Mnuchin

Përpjekje për të ruajtur rregullat e tregtisë së lirë në botë në takimin e ministrave të Financave të G-20 në Argjentinë, por SHBA nuk ndryshon qëndrim. Konflikti tregtar me SHBA rrezikon të shkallëzohet.

Në samitin e krerëve të 20 vendeve të industrializuara dhe në ekspansion që zhvillohet në Argjentinë do të duhej të ishte në fokus e ardhmja e punës dhe përmirësimi i infrastrukturës. Por këto kalojnë në hije, për shkak të grindjes së vazhdueshme së SHBA me Kinën dhe BE për doganat ndëshkuese.

Ministri gjerman i Financave, Olaf Scholz kërkoi në kryeqytetin argjentinas ruajtjen e tregtisë së lirë në kuadër të grindjes me SHBA. „Përfitimet në mirëqenie janë më të mëdha, kur ne kooperojmë", tha politikani socialdemokrat në takimin e ministrave të Financave në Argjentinë. Scholz nuk e pranoi kritikën e amerikanëve për politikën tregtare të europianëve. „BE zhvillon një politikë të arsyeshme. Ne nuk përpiqemi përmes barazimit së valutës të krijojmë avantazhe ekonomike."

Image
Ministri gjerman i Financave, Olaf Scholz

Kryetarja e FMN-së paralajmëron nga rënia ekonomike

Kryetarja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, FMN, Christinë Lagarde paralajmëroi shtetet e G20-s nga shkallëzimi i konfliktit tregtar. Në rastin më të keq kjo mund sjellë rënien e rritjes ekonomike botërore me 05,%, tha ajo. Për këtë ajo do t'i paraqesë ministrave një raport të posaçëm. Rritja më e pakët ekonomike, sipas vlerësimit të FMN-së kërcënon të bëhet realitet, nëse zbatohen të gjitha doganat ndëshkuese amerikane dhe masat reciproke të vendeve përkatëse. Që në fillim të takimit, Lagarde u shpreh se luftërat tregtare i shkaktojnë miliarda ekonomive popullore. Edhe presidenti i Bankës Kombëtare Zvicerane, Thomas Jordan, i ftuar në samitin e G20-s u shpreh me shqetësim se „grindja tregtare mund të shkallëzohet më tej."

SHBA nuk ndryshon qëndrim

Por ministri amerikan i Financave, Steven Mnuchin përforcoi edhe njëherë kërkesën e tij për shanse të drejta për vendin e tij në tregtinë me Kinën dhe SHBA. Qeveria në Uashington e ka „dëshirën për një marrëdhënie të balancuar", e për këtë është e nevojshme të importohen më shumë produkte amerikane. Kina duhet të hape tregjet për SHBA „me qëllim që ne të konkurrojmë drejt dhe të rrisim eksportet tona", kërkoi Mnuchin. Nëse Kina nuk lëviz nga pozicionet e saj, atëherë kërcënimi i presidentit Trump për të vendosur dogana ndëshkuese ndaj të gjitha produkteve kineze „është një mundësi realiste", paralajmëroi Mnuchin.

Image
Drejtuesja e FMN, Christine Lagarde

Edhe në drejtim të Europës, ministri amerikan kishte mesazhe të qartë. „Nëse Europa beson në tregtinë e lirë, atëherë ne jemi të gatshëm të nënshkruajmë një marrëveshje tregtare pa dogana, pa kufizime dhe pa subvencione", tha ai. Por në këtë rast duhet të përmbushen „të tre kriteret". Por ministri francez i Financave, Bruno Le Maire u shpreh, se pa heqjen e doganave ndëshkuese për çelikun dhe aluminin nuk do të ketë negociata për një marrëveshje tregtare. Në këtë pikë Gjermania dhe Franca janë të një mendimi. „Ne presim që SHBA të ndërmarrë hapat e nevojshme, për të dalë nga kjo luftë tregtare", tha Le Maire. Ai i bëri thirrje SHBA-së t'i kthehen arsyes e tv respektojnë partnerët.

Vendet e G20-s përfaqësojnë 85% të kapacitetit ekonomik botëror, dy të tretat e popullsisë botërore dhe lëvrojnë 75% të tregtisë globale./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat