Komisioni i BE padit Hungarinë për ligjet e azilit

Evropë

Komisioni i BE padit Hungarinë për ligjet e azilit

Më: 20 korrik 2018 Në ora: 09:34
Kryeministri Viktor Orban

Bllokada totale e Hungarisë ndaj emigracionit dhe refugjatëve e detyron Komisionin Evropian të ngrejë padi dhe të hapë procedura të reja.

Pas fitores së tij elektorale në prill kryeministri Viktor Orban, i cili e quan veten "joliberal", urdhëroi ashpërsimin e mëtejshëm të legjislacionit të migracionit në Hungari. Çdokush që ndihmon në Hungari persona të konsideruar si migrantë "ilegalë" që kërkojnë azil, të gjejnë strehim ose të gjejnë ushqim, rrezikon të dënohet me burgim deri në një vit për "ndihmë për hyrje të paligjshme të vend". Kjo vlen edhe për organizatat humanitare. Viktor Orban e sheh ligjin si pjesë të një pakete të tërë veprimesh kundër miliarderit George Soros.

Ai e akuzon Sorosin se sipas një plani të BE-së do ta përmbytë Hungarinë dhe pjesën tjetër tjetër të Evropës me refugjatë muslimanë. Kjo është një teori e pakuptueshme konspiracioni e tij. Fondacioni Soros i hedh poshtë këto akuza. Por Orbani e vazhdon sulmin ndaj George Sorosit.

Brukseli paralajmëron Budapestin

Komisioni Europian i nisi një paralajmërim zyrtar Viktor Orbanit duke i kërkuar që brenda dy muajsh të sqarojë se ku i bazon akuzat për ligjet. Mosrespektimi i këtij afati kërcënon një tjetër padi kundër Hungarisë në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë në Luksemburg. Paralajmërimi me shkrim është hapi i parë për hapjen e një "procedure shkeljeje të marrëveshjeve të BE-së", me të cilën Komisioni i BE-së përpiqet të disiplinojë anëtarët që nuk i respektojnë ato.

Image

Komisioni Evropian ka ngritur tashmë padi kundër shtetit hungarez edhe në një rast tjetër. Sipas Komisionit të BE-së Hungaria i ka ashpërsuar procedurat e azilit që nga viti 2015 dhe kush kërkon azil mbahet shumë gjatë në të ashtuquajturat qendra tranziti derisa vendoset për kërkesat e tyre për azil. Sipas Komisionit të BE, qeveria hungareze deri tani nuk është shprehur mjaftueshëm për këto akuza, prandaj Brukseli ndërmori këtë hap.

Hungaria si edhe Polonia i injorojnë vendimet e Gjykatës Evropiane për shpërndarjen e refugjatëve në BE dhe nuk pranojnë të strehojnë asnjë numër të vogël refugjatësh. Për shkak të këtij refuzimi, komisioneri i BE Dimitris Avramopulos e paditi përsëri Hungarinë në dhjetor 2017 përpara Gjykatës Evropiane të Drejtësisë. Gjykata në Luksemburg mund të shqiptojë gjoba të rënda ndaj Hungarisë, të cilat mund të ekzekutohen duke u mbajtur nga fondet e BE-së për Hungarinë. Komisioni Evropian tashmë ka filluar procedime penale kundër Polonisë për mungesë të sundimit të ligjit sipas nenit 7 të Traktatit të Lisbonës. Kundër Hungarisë ky hap drastik nuk është ndërmarrë ende.

Ministri i Jashtëm i Hungarisë këmbëngul për mbrojtje ndaj terrorizmit

Ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijarto e arsyetoi qëndrimin e Hungarisë me rreziqet që duhet të shmangen për popullin hungarez dhe Evropën. Szijarto tha se gjatë tre viteve e gjysmë të fundit në Evropë  janë kryer 29 sulme të mëdha terroriste nga persona me sfond migracioni.  "Ne jemi mësuar të mbrojmë interesat evropiane dhe sigurinë e popujve evropianë në vend të Brukselit. Ky është përsëri një rast i tillë", tha ministri hungarez për gazetarët. Qeveria do të përballet me betejën ligjore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat