Puigdemont: Separatizëm që nga exili

Evropë

Puigdemont: Separatizëm që nga exili

Më: 19 korrik 2018 Në ora: 09:16
Carles Puigdemont

Ish-kryeministri katalan Puigdemont vazhdon të luftojë edhe pasi ekstradimi në Spanjë është bërë i mundshëm juridikisht. Në një konferencë me video ai përdor motive historikisht të diskutueshme kur flet.

Duke duatrokitur në këmbë, duartrokitje për dikë që buzëqesh nga larg në videon që shfaqet në sallë në Barcelonë. Carles Puigdemont ndodhet në Gjermani dhe është lidhur me video në sallën e Ateneu Barcelonès, ku janë mbledhur protagonistët kryesorë të lëvizjes katalane për pavarësi për të bërë të njohur platformën e re të tyre për zgjedhjet, që pritet të mbahen në vjeshtë.

"Crida Nacional per la República" ("Thirrje kombëtare për Republikën") quhen ata tani dhe kanë bashkuar të gjithë ata që duan të vazhdojnë të çojnë përpara pavarësinë e Katalonjës, pavarëssht nga goditjet që kanë marrë muajt e fundit. Lëvizja e re është një "referencë që na detyron ne t'i qëndrojmë besnik mandatit të 2,3 milionë njerëzve që japin votën", thuhet në një deklaratë të formuluar më parë.

Kjo fjali ka të bëjë me referendumin e pavarësisë të 1 tetorit 2017 ku katalanët votuan për pavarësinë e tyre. Në votime morrën pjesë rreth 42 përqind e katalanëve me të drejtë vote, prej të cilëve 90 përqind votuan për pavarësinë.

"Poshtërimi më i madh i drejtësisë spanjolle në 40 vjet"

Pasi deklaroi pavarësinë në fund të tetorit, qeveria katalane e kryesuar nga Puigdemont, u shkarkua nga qeveria qendrore spanjolle. Njëkohësisht drejtësia spanjolle ngriti padi kundër anëtarëve të qeverisë. Një nga pikat e akuzës flet për "rebelim". Puigdemont u arratis në Belgjikë. Në fund të marsit 2018 ai u arrestua në tokën gjermane. Gjykata e Landit në landin Schleswig morri tani vendimin që ekstradimi i tij në Spanjë është i ligjshëm, megjithatë vetëm për akuzat për shpërdorim të parave publike, jo për akuzën më të rëndë për "rebelim".

Image

Në këtë mënyrë urdhërarresti evropian ka tani efekt në favor të Puigdemontit. Sepse, tani nëse ekstradohet sipas ligjeve evropiane, mbas vendimit të marrë në Gjykatën e Landit në Schleswig Holstein, ai nuk mund të akuzohet më në Spanjë për "rebelim", sepse edhe Gjykata e Lartë spanjolle duhet të vendosë për pranimin e urdhërarrestit evropian kundër Carles Puigdemontit.

Gazeta konservatore, që ndihet e detyruar në çështjet e shtetit kombëtar spanjoll, gazeta "El Mundo" flet mbas gjykimit të Gjykatës së Landit në Gjermani për "një nga poshtërimet më të mëdha që drejtësia spanjolle ka marrë në 40 vitet e fundit". Një "gjykatë rajonale" e ka shkarkuar të akuzuarin nga akuza për rebelim. "Gjykatësit me sa duket duan të shohin një gjakderdhje për të pranuar se rezistenca është shkelje penale", shkruan më tej "El Mundo". Procesin gazeta e quan turp: "E shkreta demokraci gjermane. E shkreta Evropë".

Kurse gazeta tjetër "El Pais" është më e përmbajtur. Gjykatësit kanë marrë vendim në përputhje me ligjet, shkruan ajo. Kjo është një tregues i stabilitetit të shtetit gjerman të së drejtës.

Mit i historisë së vuajtjeve

Aktualisht në Spanjë një libër i francezit Sandrine Morel ka zgjuar diskutimet. Korrespondentja në Spanjë e gazetës franceze "Le Monde" ka botuar një libër për lëvizjen katalane të pavarësisë duke u përqendruar në muajt e fundit, me titull ("En el huracán. Una mirada privilegiada al laberinto del procés", që përkthehet "Në qendër të hurrikanit. Një vështrim mbi labirinthin e ngjarjeve"). Aty ajo përshkruan ndër të tjera historinë që ajo mendon se është shumë e diskutueshme, të aktivistëve katalan të pavarësisë, të cilët interpretohen me njëanësi nga historia spanjollo- katalane.

Kjo histori është kryesisht, sipas saj, histori e vuajtjeve të katalanëve nën sundimin spanjoll. Morel citon historianin katalanas Francesco Xavier Hernández, profesor në Fakultetin e Shkencave sociale në Universitetin e Barcelonës. Ai, thotë Morel, e quajti në bisedë me të historinë katalanase nën sundimin spanjoll të ngjashëm me "genocidin kundër armenëve".

Puigdemont: "Represion i pajustifikueshëm"

Motivin e historisë së vuajtjeve e përmendi në një formë më të butë, edhe Puigdemont gjatë fjalimit përshëndetës drejtuar shoqërisë në Ateneu Barcelonès. "Ne duhet të vazhdojmë luftën, kundër represionit të pajustifikueshëm dhe deri në ngritjen e Republikës katalanase", i bëri ai thirrje nga Gjermania, të mbledhurve në takim.

Image

Histori kombëtare si histori vuajtjeje, është një motiv i vazhdueshëm i separatistëve katalanas. Karakterin imponues të këtij miti e përmend edhe gazeta gjermane "Süddeutsche Zeitung" në komentin lidhur me ekstradimin e mundshëm. Gazeta e kritikon atë si të patolerueshëm. "Kushtetuta spanjolle nuk e njeh të drejtën e ndarjes. Prandaj Gjykata Kushtetuese e pati ndaluar referendumin. Kjo është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. Ajo i jep të drejtën një pakice për t'u ndarë, nëse ajo është nën shtypje brutale. Në Spanjën e sotme nuk mund të bëhet fjalë për shtypje të tilla."

Jashtë vëmendjes

Megjithëse për shkak të ligjeve evropiane Puigdemont, nuk mund të akuzohet më për rebelim pas ekstradimit në Spanjë, klima midis separatistëve dhe qeverisë kombëtare mbetet e vështirë. Kryeministri i ri spanjoll, Pedro Sánches, megjithëse ka pak javë që ndodhet në post ka zhvilluar bisedime me Quim Torran, presidentin e ri të qeverisë katalanase.

Për përmbajtjen e bisedimeve nuk u dhanë të dhëna. Por vetëm fakti që u ulën të flasin shihet si sukses. Qeveria gjermane e sheh këtë me lehtësim. Për shkak të arrestimit të bërë në Gjermani, Gjermania u kthye pa dashur në aktor politik në konfliktin spanjollo- katalanas. Çtensionimi i situatës i jep mundësi Gjermanisë të tërhiqet nga vëmendja kryesore./DW/

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat