Kiev: BE sheh përparime në procesin e reformave

Evropë

Kiev: BE sheh përparime në procesin e reformave

Më: 9 korrik 2018 Në ora: 09:25
Kiev

Në një takim të përbashkët të nivelit të lartë në Bruksel në 9 korrik, BE do të diskutojë me Ukrainën proceset e reformave në vend. Megjithëse janë bërë shumë gjëra, BE druhet se ritmi i reformave mund të bjerë.

Në Bruksel pajtohen në një masë të madhe që Ukraina ka nisur në katër vitet e fundit shumë më tepër reforma se sa në 20 vitet e shkuara. Kjo është shumë pozitive, megjithatë ky vend ka ende një rrugë të gjatë para vetes, thonë në Bruksel. Ukraina përpiqet prej vitesh që t'i reformojë strukturat e saj shtetërore, të cilat në një masë të madhe janë të kohës sovjetike.

Takimi i nivelit të lartë me rezultat?

Për të regjistruar përparimin e reformave, BE dhe Ukraina mbajnë një herë në vit një takim të nivelit të lartë. Këtë herë takimi do të mbahet në 9 korrik në Bruksel. Në të do të marrin pjesë presidenti i Këshillit të BE, Donald Tusk, shefi i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker dhe presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko.

Ky takim i 20-të synon t'i japë fund një tradite të keqe të viteve të shkuara. Sepse dy samitet e fundit qenë të vetmet deri tani që përfunduan pa një deklaratë përfundimtare. Në vitin 2016 mollë sherri u bë heqja e planifikuar e vizave për të hyrë në BE për ukrainasit. Franca nuk donte ta diskutonte këtë temë para zgjedhjeve presidenciale në Francë. Vetëm që prej qershorit 2017 kanë mundësi shtetasit e Ukrainës që të udhëtojnë pa viza në BE. Siç e konfirmoi një nëpunës i BE, deri tani nuk është konstatuar ndonjë shtim i migrimit ilegal nga vendi.

Në vitin 2017 ishte Holanda që e bllokoi deklaratën përfundimtare. Atë e bezdiste rrethana që deklarata donte të vlerësonte lart "përpjekjet evropiane" të Ukrainës - megjithëse ky formulim ndodhet edhe në marrëveshjen e Asociimit dhe prej tij nuk rrjedh një perspektivë anëtarësimi.  Por takimi i sivjetëm i nivelit të lartë dëshirohet që të përfundojë me një deklaratë - këtë e presin të dyja palët. Ambasadori i Ukrainës në BE Mykola Tohytski thotë:"Askush nuk mund të na i marrë përpjekjet tona evropiane".

Bilanc i përzier

Por tema qendrore e samitit janë reformat: në arsim, në sistemin e pensioneve dhe të shëndetësisë. BE është i kënaqur në përgjithësi me ritmin e reformave. Si histori suksesi e sheh Brukseli edhe decentralizimin e Ukrainës. Tradicionalisht Ukraina ka qenë një shtet i centralizuar. Në kuadër të reformës tani organet lokale të vetëadministrimit do të kenë më shumë kompetenca dhe të ardhura nga taksat. Më kritik është bilanci që bën Brukseli në luftimin e korrupsionit. Ngritja e një gjykate antikorrupsion u zvarrit për dy vjet të tëra. Ligji përkatës për këtë gjykatë u miratua vetëm pak javë më parë. Brukseli vërtet që pranon një sërë përparimesh. Por BE nuk është plotësisht i kënaqur, sepse "deri tani asgjë nuk është e pakthyeshme pas", u shpreh një nëpunës i lartë i BE.

Amanda Paul, eksperte e Evropës Lindore në Qendrën Kërkimore të Brukselit European Policy Center tha në një intervistë me DW se megjithatë Ukraina ecën në drejtimin e duhur. "Ajo ecën shumë ngadalë përpara, nganjëherë vendi bën tri hapa para dhe dy pas. Por gjithsesi, në përgjithësi vazhdon të ecë përpara", thotë Paul.

Cila është perspektiva e Ukrainës?

Pavarësisht nga kjo, në vend ekziston një mbështetje e gjerë për kursin e një afrimi të mëtejshëm drejt Evropës. Shumë ukrainas madje duan që Ukraina në plan afatgjatë të hyjë në BE. Por shtetet e BE kanë mendime të ndryshme, nëse duhet t'i ofrojnë Kievit një perspektivë anëtarësimi.

Prandaj Poroshenko bëri të ditur tashmë një strategji të re. Ai dëshiron ta integrojë "me sektorë" Ukrainën në BE. Në këtë kuadër ai ka porositur studime vizibiliteti te BE. Në to bëhet fjalë për mundësinë e një integrimi në tregun e brendshëm digjital, në bashkimin energjetik dhe në bashkimin doganor me BE. Në takimin e nivelit të lartë do të paraqiten edhe rezultatet e para të këtyre studimeve./DW

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat