U refuzuan nga Italia dhe Malta, emigrantët pranohen nga Spanja

Evropë

U refuzuan nga Italia dhe Malta, emigrantët pranohen nga Spanja

Më: 12 qershor 2018 Në ora: 00:42
Pedro Sanchez tha se ai do të pranonte “Aquarius” dhe 629 personat që ndodhen në bordin e saj, pasi më herët Italia dhe Malta kishin refuzuar ta lejonin anijen të ankorohej.

Kryeministri spanjoll tha se vendi i tij do të pranojë një anije me emigrantë, të bllokuar në Mesdhe, me qëllim që të evitojë një katastrofë humanitare.

Pedro Sanchez tha se ai do të pranonte “Aquarius” dhe 629 personat që ndodhen në bordin e saj, pasi më herët Italia dhe Malta kishin refuzuar ta lejonin anijen të ankorohej. Agjencia e kombeve të bashkuara për refugjatët dhe bashkimi evropian, apeluan për një zgjidhje të shpejtë të situatës.

Sanchez, që u ul në detyrë javën e shkuar, tha se anija do të ankorohej në Valencia. Emigrantët në bordin e “Aquarius” u shpëtuan nga disa gomone në afërsi të brigjeve të Libisë, gjatë fundjavës, në gjashtë operacione të ndryshme shpëtimi.

“Është detyra jonë të ndihmojmë në evitimin e një katastrofe humanitare dhe ti ofrojmë një port të sigurt këtyre njerëzve, në përmbushje të obligimeve tona për të drejtat e njeriut”, tha zyra e Sanchez.

Mes personave të shpëtuar, që ndodhen në anijen “Aquarius”, janë 123 minorenë të pashoqëruar, 11 fëmijë të mitur dhe shtatë gra shtatzëna. Minorenët janë të moshës nga 13 deri në 17 vjeç dhe vijnë nga Eritrea, Gana, Nigeria dhe Sudani.

Ministri i ri i brendshëm i Italisë, Mateo Salvini refuzoi të lejonte anijen të hynte në një nga portet italiane duke thënë se shpëtimi i jetëve është një detyrë por kthimi i Italisë në një kamp të madh refugjatësh, nuk është.

“Italia ka bërë më shumë nga çfarë i takon, por këtë radhë ne themi jo”, shkroi Salvini në Twitter. Pavarësisht qëndrimit të Salvinit, kryebashkiakët e Tarantos dhe Napolit u ofruan të gatshëm të prisnin emigrantët, me këtë të fundit që tha: nëse një ministër pa zemër lë gra shtatzëna, fëmijë, të moshuar, qenie njerëzore të vdesin, porti i Napolit është i gatshëm t’i presë ata.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat