Danimarka kërkon kampe refugjatësh në vendet jashtë BE-së

Evropë

Danimarka kërkon kampe refugjatësh në vendet jashtë BE-së

Më: 8 qershor 2018 Në ora: 14:41
Foto ilustrim

Kryeministri danez propozon që kampet e azilkërkuesve të ngrihen jashtë kufijve të Bashkimit Europian, e ideja e tij duket të jetë mbështetur nga disa vende të bllokut, përfshirë Gjermaninë, Austrinë e Holandën.

Në kohën kur Lars Lokke Rasmussen mori frerët e ekzekutivit, më shumë se një milion emigrantë kishin kaluar kufijtë e Europës, e 21 mijë prej tyre mbërritën në Danimarkë. Që prej atëherë qeveria daneze, – siç shkruan “Bloomberg”, – i ka shtrënguar 67 herë ligjet e emigracionit.

Politikat e fundit të saj në raport me emigrantët u shpalosën gjatë një fjalimi, që shënonte ditën e Kushtetutës daneze. Rasmussen e bëri të qarte se synon ngritjen e qendrave të pritjes së emigrantëve në një vend europian jashtë BE-së.

Projekti mund të vihet në jetë brenda disa muajsh. Kryeministri danez nuk specifikoi se cilat pritet të jenë vendet ku do të ngrihen kampe të tilla, por sqaroi se do të kërkohej një shtet “i cili të mos jetë shumë tërheqës për trafikantët”.

Planin e konfirmoi edhe Kancelari austriak, Sebastian Kurz, që thotë se bisedimet janë tashmë në një fazë të avancuar.

“E kemi treguar me kohë se do të ishte e logjikshme të ofrohej mbrojtje jashtë Bashkimit Europian, atje ku emigrantët mund të marrin asistencën që i nevojitet, po nuk kanë mundësinë të zgjedhin sistemin më të mirë në Europë”, u shpreh Kurz.

Së bashku me Rasmussen, ai theksoi se bisedimet po zhvillohen drejtpërdrejt mes disa qeverive europiane dhe jo brenda kornizave të BE-së. Qendrat e emigracionit në vende të treta funksionojnë aktualisht në sistemet amerikane dhe australiane, e janë deshmuar efektive në uljen dramatike të numrit të të mbërriturve pa dokumente.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat