Ballkani Perëndimor zotohet që të përmirësojë mundësitë ekonomike për gratë dhe vajzat

Evropë

Ballkani Perëndimor zotohet që të përmirësojë mundësitë ekonomike për gratë dhe vajzat

Më: 15 maj 2018 Në ora: 21:04
Bruksel

Zyrtarë të lartë dhe përfaqësues nga Ballkani Perëndimor janë zotuar që të përmirësojnë barazinë gjinore duke miratuar një deklaratë mbi përmirësimin e qasjes në mundësi ekonomike për gratë dhe vajzat gjatë një punëtorie të Bankës Botërore të mbajtur sot në Vjenë.

Deklarata fokusohet në përmirësimin e barazisë gjinore përmes promovimit të qasjes më të mirë në vende të punës dhe asete dhe aftësisë së institucioneve që të monitorojnë progresin në barazinë gjinore.

“Rëndësia e rritjes së qasjes në mundësi për gratë në Ballkanin Perëndimor është kritike për rritjen ekonomike, zhvillimin dhe anëtarësimin në BE,” tha Linda Van Gelder, Drejtoreshë Rajonale e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor. “Kjo agjendë ka marrë një shtytje të madhe sot nga zyrtarët e Ballkanit Perëndimor që u zotuan se do të sigurojnë që më shumë gra të punësohen me pagesë në vende të punës që kërkojnë aftësi më të lartë dhe që paguhen më mirë.”

Vlerësimet tregojnë se deri në 18 për qind e BPV-së në rajon humbet për shkak të hendekut gjinor në tregun e punës. Vajzat dhe gratë në Ballkanin Perëndimor, edhe pse më të arsimuara se përpara, ende nuk marrin pjesë në mënyrë të barabartë në tregun e punës, dhe kur marrin pjesë, ka më shumë gjasa të punësohen në vende pune ku kërkohet kualifikim i ulët dhe që paguhen dobët. Gjatë punëtorisë Çlirimi i Potencialit për Rritje Ekonomike në Ballkanin Perëndimor përmes Përmirësimit të Paanshmërisë dhe Barazisë Gjinore në Qasjen në Mundësi Ekonomike, zyrtarët qeveritarë nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor iu bashkuan ekspertëve të Bankës Botërore dhe përfaqësuesve nga organizatat ndërkombëtare për të diskutuar për koston ekonomike dhe shoqërore të përjashtimit të grave. Po ashtu u diskutua edhe për përfitimet e promovimit të barazisë në ndërmarrësi dhe qasje në tregun e punës, si dhe për monito rimin dhe vlerësimin e progresit në çështjet gjinore.

Deklarata e cila u miratua sot konfirmon zotimin për gjininë dhe barazinë që është në përputhje me përpjekjet e vazhdueshme për forcimin e bashkëpunimit rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe për adresimin e sfidave të përbashkëta. Këto përpjekje do të përfshijnë shkëmbimet mes kolegëve dhe monitorimin e progresit me dakordim të ndërsjellë.

Këto zotime janë në përputhje me Objektivin e Pestë të Zhvillimit të Qëndrueshëm për arritjen e barazisë gjinore dhe fuqizimin e grave dhe vajzave, si dhe me Kapitullin 19 dhe Kapitullin 23 të Acquis Communautaire të Bashkimit Evropian (BE) për Punësimin, të Drejtat Themelore dhe Qasjen në Drejtësi. Të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor konsiderohen Vende Kandidate ose Vende Kandidate Potenciale në rrugën e tyre drejtë anëtarësimit në BE. Banka Botërore do të vazhdojë të punojë ngushtë me Komisionin Evropian, UN Women, German Gesellschaft fur Internationale Zusammenarbeit (GiZ), dhe Agence Francaise de Developpement (AFD), dhe me partnerët e tjerë zhvillimorë për të mbështetur agjendën e barazisë gjinore në Ballkanin Perëndimor, qoftë përmes punës analitike, dialogut ose angazhimit operacional. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat