Takimi i Ozil dhe Gundogan me Erdoganin, reagon DFB

Evropë

Takimi i Ozil dhe Gundogan me Erdoganin, reagon DFB

Më: 15 maj 2018 Në ora: 13:11
Takimi i Ozil dhe Gundogan me Erdoganin

Mesfushorët e Arsenalit dhe Manchester Cityt kanë takuar presidentin e Turqisë.

Federata e Futbollit të Gjermanisë (DFB), ka kritikuar Mesut Ozilin dhe Ilkay Gundogan, që sipas tyre janë bërë pjesë e fushatës elektorale të presidentit turk, Recep Tayip Erdogan.

Dy futbollistët me prejardhje turke, por që luajnë me kombëtaren e Gjermanisë, janë takuar me Erdoganin në ambasadën e Turqisë në Londër, pas një takimi të këtij të fundit me kryeministren e Britanisë, Theresa May.

Ozil madje ka postuar edhe një fotografi në Instgaram, ku shihet se i ka dhuruar Erdoganit një fanellë të tij të Arsenalit.

Presidenti i DFB, Reinhard Grindel ka folur rreth kësaj çështjeje: “DFB ka respekt për futbollistët tanë që kanë ardhur në Gjermani si emigrantë, por futbolli dhe vetë DFB, përfaqësojnë vlera të cilat zotëri Erdogan nuk i respekton”.

“Prandaj, nuk është gjë e mirë që reprezentuesit tanë, ta lënë veten të keqpërdoren në fushata elektorale. Kjo gjë padyshim se nuk i ka ndihmuar DFB-së në përpjekjet e saj për integrim”, ka theksuar Grindel.

Ky takim i dy yjeve të kombëtares gjermane nuk është pritur mirë as nga mediat e këtij vendi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat