Kryeministri armen takohet me Putinin

Evropë

Kryeministri armen takohet me Putinin

Më: 14 maj 2018 Në ora: 14:16
Kryeministri armen, Nikol Pashinian dhe presidenti rus, Vladimir Putin

Kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinian ka falënderuar presidentin rus, Vladimir Putin, për atë që ai e quajti “pozicion të balancuar” të Moskës, pas trazirave politike, që i mundësuan Pashinianit të vijnë në pushtet. Kryeministri armen, po ashtu e siguroi Kremlinin se “aleanca strategjike” mes dy shteteve nuk është vënë në dyshim.

Në takimin e parë që prej se Pashinian u zgjodh kryeministër më 8 maj, pasi për javë të tëra udhëhoqi protesta anti-qeveritare, Putin i uroi atij sukses dhe tha se shpreson që marrëdhëniet dypalëshe do të zhvillohen dhe do të jenë “të qëndrushme”, siç kanë qenë deri më tani.

Pashinian dhe Putin u takuan në Soçi, në margjinat e samitit të Bashkimit Ekonomik të Euroazisë.

Pashinian tha se “aleanca strategjike në mes të Armenisë dhe Rusisë”, nuk kërkon “asnjë shpjegim”, duke shtuar se “ka konsensus për këtë çështje në Armeni. Unë mendoj se askush në shtetin tonë ka pasur apo do të ketë dyshime në rëndësinë strategjike të marrëdhënieve Armeni-Rusi”.

Kryeministri armen tha se shpreson që raportet dypalëshe do të kenë një impuls të ri, në kuptimin politik dhe të tregtisë.

Marrëdhëniet e Rusisë me Armeninë janë më të afërta sesa me shtetet tjera në rajonin e Kaukazit Jugor.

Rusia e “shikon Armeninë si partnerin tonë më të afërt dhe aleat në rajon” si për çështjet ekonomike dhe ato të sigurisë, tha Putin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat