Angela Merkel e mbron pranimin nga Gjermania të 10.000 refugjatëve të OKB-së

Evropë

Angela Merkel e mbron pranimin nga Gjermania të 10.000 refugjatëve të OKB-së

Më: 24 prill 2018 Në ora: 10:31
Kancelarja Merkel takon Filippo Grandi

Kancelarja gjermane Angela Merkel thotë se pranimi në Gjermani i emigrantëve të ligjshëm nga një program i OKB-së ndihmon në eliminimin e emigracionit të paligjshëm.

Deklarata e Angela Merkel u bë të hënën përballë pranimit nga Gjermania të 10.000 azilkërkuesve, të cilësuar si veçanërisht në mbrojtje nga Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR). Kancelarja e karakterizoi këtë si një përpjekje për të hapur rrugë ligjore për refugjatët drejt Gjermanisë - për të parandaluar praktika si trafikimi i qenieve njerëzore.

"Objektivi ynë është që ta parandalojmë migrimin ilegal dhe ta zëvendësojmë atë më migrim legal", u tha Merkeli reporterëve. Deklarata u bë në kuadër të qendrimit për konsultime në Berlin të Komisionierit të OKB-së për Refugjatët , Filipo Grandi.

Migrimi është një temë që shkakton ndarje te njerëzit në të gjithë politikën gjermane dhe brenda partisë së Angela Merkelit, CDU. Shumë nga anëtarët e partisë së saj ngulin këmbë që Gjermania t'i përmbahet në mënyrë strikte shifrës së 220,000 vetëve, për të cilën është rënë dakord me partnerët socialdemokratë të koalicionit që të lejohet të hyjnë çdo vit në Gjermani. Refugjatët e OKB-së në fjalë do të jenë pjesë e këtij numri.

"Në bazë të programit të sistemimit të refugjatëve që po vazhdon, Gjermania do të pranojë 10.000 vetë të zgjedhur nga UNHCR", theksoi Merkel. "Kjo është rruga që preferojmë të ndjekim. Kjo është arsyeja pse kemi nënshkruar një marrëveshje me Turqinë, për të ndihmuar refugjatët në terren ose për t'u dhënë atyre një rrugë ligjore për në Gjermani".

Gjermania - donatorja e dytë më e madhe e UNHCR-së

[Deutschland Kanzlerin Merkel trifft Filippo Grandi (picture-alliance/AP Photo/M. Sohn)]

Në vitin 2016, BE ra dakord për një marrëveshje me qeverinë turke. Në këmbim të lejimit BE që të rikthejë në Turqi sirianët, kërkesa e të cilëve është refuzuar në BE, Ankaraja mori mbështetje financiare. Dhe BE ra dakord të pranonte direkt nga Turqia personat që kanë të drejtë të marrin azil.

Grandi falenderoi Gjermaninë për gatishmërinë e saj për të ndihmuar në lehtësimin e situatës së refugjatëve në të gjithë botën. "Jemi dëshmitarë që krizat po prodhojnë numrin më të madh të refugjatëve prej dekadash", tha Grandi. Si zona krizash ai përmendi Myanmarin, Bangladeshin, Sirinë, një sërë shtetesh afrikane dhe Venezuelën.

Gjermania, shtoi ai, është donatorja e dytë për nga vëllimi i kontributeve për UNHCR pas SHBA dhe e ka trefishuar mbështetjen e saj në tri - katër vitet e shkuara. Ai tha se Gjermania ka krijuar "rrugë ligjore që njerëzit më në nevojë të kenë kushte më të mira" dhe mund të shërbejë për rolin që luan si model për botën.

"Këto 10.000 vende (për refugjatët) janë një gjest shumë i rëndësishëm dhe shpresoj se kjo do të pasohet nga shtete të tjera në Evropë dhe jashtë saj", u tha Grandi përfaqësuesve të medieve. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat