NATO zgjeron angazhimin global

Evropë

NATO zgjeron angazhimin global

Më: 16 mars 2018 Në ora: 19:43
Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg

Sikurse nënkuptohet edhe nga emri, Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior i ka rrënjët në Evropë dhe Amerikën e Veriut. Por ndërsa përballet me kërcënime të reja globale, aleanca ka filluar të zgjerojë horizontet e saj. Materiali në vazhdim shtjellon se si programi i Koresë së Veriut për raketa dhe armë bërthamore ka nxitur NATO-n që të rrisë angazhimin në rajonin e Azi-Paqësorit.

Ndërsa Koreja e Veriut mund të ketë sinjalizuar synimin për të pezulluar testet bërthamore në këmbim të takimit Trump-Kim, shqetësimet e aleancës ndaj ambicjeve bërthamore të Phenianit ende qendrojnë.

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, e ka cilësuar Korenë e Veriut si kërcënim global.

“Sjellja e pakujdesshme e Koresë së Veriut përbën një kërcënim global që kërkon reagim global, natyrisht këtu përfshihet edhe NATO.”

Barry Pavel është ekspert për mbrojtjen dhe politikat me Këshillin e Atlantikut.

“Pajtohem me Sekretarin e Përgjithshëm, me aftësitë që janë përtej rajonit, raketat e Phenianit mund të kenë pas njëfarë kohe aftësitë të godasin jo vetëm Amerikën por edhe Evropën dhe vende të tjera.”

Duhet unitet dhe partneritet i fuqishëm, që shtrihet nga Atlantiku në Paqësor, për të kundërshtuar perspektivën e një Pheniani me armë bërthamore, thotë zoti Pavel.

“Dikur, pyetja që shtronte NATO në Paqësor ishte nëse duhej të shtrihej edhe atje? Por çështja kryesore tani është a po vjen Paqësori në NATO?”

Ndërsa shërbente në NATO nga viti 2003-2006, Gjenerali James Jones u takua me zyrtarë nga rajoni i Azi-Paqësorit.

“...që nga Australia, Pakistani dhe vende të ndryshme të botës donin të dinin më shumë për NATO-n. Për mua, kjo është e ardhmja e aleancës. Shpresoj që aspirata globale e NATO-s të vlerësohet. Unë do ta filloja me partneritete dhe të shihja se si shkojnë gjërat.”

NATO ka katër partnerë në Paqësor – Australinë, Japoninë, Zelandën e Re dhe Korenë e Jugut.

Australia dhe Zelanda e Re kanë dërguar trupa në Afganistan nën komandën e NATO-s. Japonia dhe Korea e Jugut kanë kontribuar në përpjekjet për rindërtim dhe zhvillim atje. Të katër shtetet kanë marrë pjesë në misionet e NATO-s për të luftuar piratërinë në brigjet e Somalisë dhe kanë nënshkruar marrëveshje zyrtare partneriteti me NATO-n.

Më tutje, Tailanda, Malajzia dhe Singapori duket se kanë interes partneriteti në NATO, thonë ekspertët. Edhe India dhe Indonezia mund të kërkojnë lidhje më forta.

Në moshën e pasigurisë globale, është e natyrshme për Aleancën Perëndimore që të zgjerojë mandatin, thotë ish komandanti i lartë në NATO, Jones.

“NATO si një aleancë reaguese për të mbrojtur Evropën, minus Rusinë, ka një kosto të lartë. Rusia nuk ka forcën për të mposhtur Evropën.”

Që nga themelimi në vitin 1949, fokusi kryesor i aleancës ka ndryshuar. Në vitet 1950, aleanca ishte mburojë kundër kërcënimit sovjetik. Në vitet 1960-1970, ishte një element politik për ulje tensionesh. Në vitet 90-të, Aleanca ishte një mjet për stabilizimin e Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore, duke përfshirë partnerë të rinj dhe aleatë. Në shekullin 21, NATO po evoluon përsëri ndërsa përballet me rreziqe të reja globale që kërkojnë mbrojtje globale./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat