Rritja e dhunës politike në Itali

Evropë

Rritja e dhunës politike në Itali

Më: 24 shkurt 2018 Në ora: 23:07
Itali

Italia ka patur 64 qeveri që nga Lufta e Dytë Botërore dhe një numër shumë më të madh kryeministrash. Por megjithë këtë standart kaotik, vendi është përfshirë vitet e fundit në zgjedhje parlamentare nga më të dhunshmet dhe përçarëset.

Rritja e dhunës politike krahasohet me vitet 1970-të dhe fillimin e viteve 1980-të, të njohura si “Vitet e Plumbit”, kur vendi ishte përfshirë në turbullira politike dhe sociale, ndërsa goditej vazhdimisht nga terrorizmi vendas i ekstremistëve të djathtë dhe të majtë.

21 parti dhe dy koalicione zgjedhore të paqëndrueshme të përfshira nga armiqësi personale dhe intriga, po konkurojnë në një garë elektorale e cila çdo ditë bëhet edhe më e mprehtë dhe kërcënuese.

Politikanët nuk përmbajnë retorikën e tyre politike, duke hedhur akuza ndaj rivalëve, duke thumbuar karakterin e tyre dhe duke aluduar për tradhëti. Gjuha politike reflekton edhe përqasjen e zymtë fisnore të elektoratit me ndjesi kundër emigrantëve dhe të zemëruar ndaj një sistemi politik që shfaqet i paaftë të menaxhojë çështje elementare.

Ndërsa po zhvillohet fushata elektorale, votuesit janë bërë më të zemëruar dhe më të dhunshëm. Vetëm një javë më parë, policia u godit me shishe në disa qytete nga protestues të së majtës së skajshme që kërkonin t’u afroheshin tubimeve provokative anti-emigracion dhe të së djathtës së skajshme, në fjalimet e të cilave bëhej thirrje për dëbime masive të mbi 600 mijë emigrantëve që kanë mbërritur në vend gjatë dy viteve të fundit.

Dje, dhuna politike shpërtheu në qendër të qytetit bregdetar Piza, ku njerëzit që kishin dalë për të bërë pazar u detyruan të largoheshin duke vrapuar prej demonstruesve të dhunshëm të majtë që protestonin kundër udhëheqësit të “Lega”, Matteo Salvini, i cili po fliste gjatë një tubimi duke përsëritur premtimin se do të kundërshtojë Brukselin dhe se “italianët janë të parët”. Protestuesit hodhën bomba tymuese, gurë dhe shishe ndaj policisë.

Ndërsa të enjten në Torino, gjashtë policë u lënduan ndërsa mundoheshin të përmbanin anti-fashistët që kërkonin t’i afroheshin një tubimi të “CasaPound”, një grupim me rrënjë neo-fashiste që është shndërruar në parti politike. Përplasjet u konsideruan nga zyrtarët si “shumë serioze” dhe se protestuesit kishin “synuar të lëndonin” policët.

Sot, policia vendosi masa të rrepta sigurie në Romë ndërsa po shtohen tensionet politike me afrimin e datës së zgjedhjeve, 4 marsin. Një marshim i titulluar “Kurrë më fashizëm” mblodhi mijëra demonstrues, ndërsa policia ndaloi sjelljen e objekteve të forta dhe të mprehta, si dhe mbajtjen e helmetave mbrojtëse./voa

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat