Manjati rus Deripaska largohet nga udhëheqja e kompanisë së aluminit

Evropë

Manjati rus Deripaska largohet nga udhëheqja e kompanisë së aluminit

Më: 23 shkurt 2018 Në ora: 10:03
Oleg Deripaska

Manjati rus, Oleg Deripaska, dha dorëheqje nga udhëheqja e kompanisë ruse të aluminit Rusal.

Rusal dhe kompania partnere EN+ njoftuan për largimin e Deripaskas dhe për ndryshime të tjera në menaxhim, duke thënë se ato do të sjellin energji shtesë.

Rusal nuk e përmendi një raport hetues, të publikuar së voni nga politikani opozitar rus, Aleksei Navalny, në të cilin është thënë se Deripaska ka pritur zëvendëskryeministrin rus, Sergei Prikhodko, në jahtin e tij.

Raporti i Navalnyt, i publikuar më 8 shkurt dhe i bazuar në disa postime në mediat sociale dhe në fotografi të siguruara nga një grua, e cila ka thënë se ka pasur aferë me Deripaskan, ka thënë se takimi tregon prova të reja për korrupsion në qarqet e Kremlinit.

Deripaska ka mohuar se ka bërë ndonjë "veprim të paligjshëm" dhe ka kërkuar nga mediat që të mos i shpërndajnë "akuzat e rreme" në raportin e Navalnyt.

Rregullatori rus i mediave Rozkomnadzor më vonë e ka bllokuar publikimin e raportit në internet. Javë më parë, Deripaska ka qenë po ashtu njëri nga 96 manjatët rusë, të listuar nga Departamenti amerikan i Thesarit si njerëz që kanë fituar pasuri dhe pushtet, për shkak të lidhjeve të afërta me presidentin rus, Vladimir Putin. Departamenti i Thesarit ka thënë se do të sanksionojë disa rusë të pasur në të ardhmen e afërt.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat