Bisedime për koalicionin – po pastaj?

Evropë

Bisedime për koalicionin – po pastaj?

Më: 10 shkurt 2018 Në ora: 08:51
Gjermani

Bisedimet e koalicionit përfunduan me sukses, por tani e kanë fjalën socialdemokratët në bazë: Anëtarët e SPD janë ata që do të vendosin për të ardhmen e koalicionit qeverisës. Ç‘do të ndodhë nëse ata votojnë me „Jo“?

Pak pas ribashkimit të Gjermanive, Partia Socialdemokrate kishte gati një milionë anëtarë. Ndërkohë numri i tyre ka arritur në 460.000, por ata e kanë tani punën në dorë. Pa aprovimin e shokëve të partisë, nuk ka koalicion mes të mëdha popullore asaj  Kristiandemokrate, Kristiansociale (CDU/CSU) dhe Socialdemokrate (SPD). Të 460.000 anëtarëve të partisë marrëveshja e koalicionit do t'u dërgoheet me postë në shtëpi, për ta lexuar atë. Pjesa më e madhe e tyre do e lexojnë me kujdes të madh dhe do të bëjnë pastaj pyetjen: A dallohet sa duhet në këtë program qeveritar dora e socialdemokratëve? Apo socialdemokratët që morën pjesë në bisedime janë tërhequr prej hunde nga partitë e unionit konservator?

Baza merr vendim

Pikërisht si katër vjet më parë, edhe tani janë socialdemokratët që thonë fjalën e fundit për paktin e koalicionit me Partinë Kristiandemokrate dhe Partinë Kristiansociale. Çdo anëtar partie voton me „Po" ose „Jo" me anë të një letre. Edhe anëtarët e rinj të partisë mund ta japin votën, nëse kanë hyrë në parti deri më datën 6 shkurt. Kundërshtarë të "GroKo" (kështu quhet shkurt koalicioni me bazë gjerë – Große Koalition) kanë bërë thirrje për hyrje në parti, për të shmangur aleancat e tilla në sondazhet e anëtarëve të partisë. Faktikisht, Partia Socialdemokrate po shënon që prej Kongresit të Jashtëzakonshëm të saj më 21 janar, që mezi dha dritën jeshile për bisedimet e koalicionit, një valë pranimesh të reja në parti. Nëse anëtarët e rinj të partisë do ta votojnë pro apo kundër "GroKo" është e vështirë të parashikohet nga kryesia e partisë.

Ndryshe nga zgjedhjet parlamentare më 2013, kur 76 përqind e anëtarëve të Partisë Socialdemokrate i dhanë bekimin qeverisë së re, shokët e partisë mund të bëjnë që "GroKo" kësaj here të bjerë para kohe. Shumë socialdemokratë shohin se kërkesat më të rëndësishme të partisë së tyre nuk zbatohen, për shembull në temën e bashkimit familjar për refugjatët. Po ashtu ata lëkunden me tronditjen që kryetari i partisë Martin Schulz, shkaktoi me dështimin e bisedimeve për koalicion mes CDU-së, liberalëve dhe ekologjistëve: Kur pa SPD-në të vetme në opozitë ai kërkoi që ta fuste partinë për herë të tretë si partnere në koalicionin e madh. Kjo pavarësisht përvojës së dhimbshme që Partia Socialdemokrate pati nën qeverisjen e kancelares Angela Merkel, duke u dëmtuar gjithnjë e më shumë për vete. Në sondazhet aktuale mbështetja për partinë dhe kryetarin e saj Martin Schulz ka rënë sërish në nivel të ulët. Nëse përkrahja e zgjedhësve vazhdon të bjerë për këtë parti, që dikur krenohej si një parti popullore, atëherë ajo mund të sjellë probleme ekzistenciale.

Frika para rrëzimit

Janë të rinjtë, organizata e të rinjve të Partisë Socialdemokrate që i bën thirrje anëtarëve për të thënë „Jo". Atyre u ka ardhur shpirti në majë të hundës me „politikën e emëruesit minimal të përbashkët". Zgjedhësit nuk ia dhanë votën më 24 shtator koalicionit të madh, me një minus 14 përqind. „Demokracia jeton me luftën e kampeve politike, dhe kjo luftë nuk zhvillohet në një koalicion të madh", thonë të rinjtë, kryetari i të cilës Kevin Kühnert është një nga kryesuesit e kampit kundër GroKo-s.

Por çfarë do të ndodhë, nëse anëtarët e SPD votojnë kundër një koalicioni të madh?

"Atëherë duhen zhvilluar zgjedhje të reja", bëhet e ditur. Po kaq e thjeshtë nuk është. Parlamenti do duhej të shpërbëhej vetë, as Angela Merkel, as Martin Schulz nuk bëjnë dot thirrje për zgjedhje të reja. Kjo do të ishte në kundërshtim me kushtetutën, e cila krijon stabilitetin. Zgjedhje të reja të shpeshta, siç ka ndodhur në Republikën e Vajmarit, baballarët e kushtetutës kanë dashur mos t‘i bëjnë aq të lehta.

Cilat janë pra hapat e tjerë, nëse SPD dhe Unioni nuk krijojnë dot qeverinë e koalicionit?

Atëherë futet në lojë presidenti Frank-Walter Steinmeier. Kryetari i shtetit mund t' i propozojë parlamentit një kandidat ose kandidate për postin e kancelarit. Sipas kushtetutës kjo është madje detyrë e tij. Nëse populli thirret sërish në votime, atëherë përfaqësuesit e popullit duhet të thirren në parlament për të zgjedhur një kancelar. Nëse ky do të krijojë një qeveri pakice apo shumice, nuk ka shumë rëndësi. Nga rezultati i këtyre zgjedhjeve varet pastaj vazhdimi.

Hapi i parë: zgjedhja e kancelarit

Presidenti do t‘i propozojë parlamentit një kandidat për kancelare apo kancelar. Edhe nëse bisedimet GroKo dështojnë sipas gjithë gjasave, kjo do të ishte kryetarja e CDU, Merkel. Sepse ajo është kryetare e partisë që ka marrë në zgjedhjet parlamentare numrin më të madh të votave. Për një zgjedhje të suksesshme, që zhvillohet në fshehtësi dhe pa vendime paraprake, asaj do t‘i duhej shumica absolute e 709 votave parlamentare, pra e ashtuquajtura „shumica e votave për kancelar". Deri tani të gjithë kancelarët gjermanë, edhe Angela Merkel mes tyre janë zgjedhur që në raundin e parë të votimit.

Në këtë rast historia do shkonte ndryshte: Pas dy përpjekjeve të dështuara pët të krijuar koalicion Merkelit do t‘i mungonte shumica absolute. Pastaj fillon një afat prej 14 ditësh - kështu është e sanksionuar me ligj në kushtetutë. Në këtë periudhë parlamenti zgjedh në bazë të propozimeve një kandidat për kancelar ose kancelare. Edhe për këtë është e domosdoshme shumica abolute. Nëse kjo nuk arrihet, atëherë pas mbarimit të afatit zhvillohen „pa vonesë zgjedhje të reja". Kështu thuhet në paragrafin 63 të Kushtetutës, e cila pas këtyre zgjedhjeve finale i ul pengesat. Në zgjedhjet finale mjafton shumica e thjeshtë e votave, nuk ka nevojë për shumicë absolute.

Qeveri pakice apo zgjedhje të reja?

Në vijim do i vinte radha sërish Frank-Walter Steinmeierit: Presidenti duhet të merrte vendim, nëse do ta emëronte kandidatin e zgjedhur kancelar të një qeverie pakice, e cila do të kërkonte vazhdimisht shumicën në parlament për detyrat politike. Alternativa tjetër është shpërbërja e parlamentit dhe thirrja e zgjedhjeve të reja brenda 60 ditëve.

Por kryesia e SPD nuk do të flasë ende për zgjedhje të reja, për të cilat ekziston frika se populistët e djathtë të AfD do t‘i afroheshin socialdemokratëve. Ajo që do më shumë SPD-ja është të bindë anëtarët e partisë të aprovojnë paktin e koalicionit./dw

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat