Martin Schulz nën presion për aleancë me Merkelin

Evropë

Martin Schulz nën presion për aleancë me Merkelin

Më: 22 nëntor 2017 Në ora: 20:38
Martin Schulz

Presioni është rritur sot rreth kreut të social-demokratëve gjermanë, Martin Schulz që ai të heqë dorë nga kundërshtimi i një aleance me Angela Merkel, për të nxjerrë Gjermaninë nga një krizë e rëndë politike.

Që prej humbjes së thellë të partisë së tij në zgjedhjet legjislative të 24 shtatorit, kreu i SPD-së ka shprehur në mënyrë të përsëritur refuzimin për të vazhduar koalicionin me CDU-në e Merkelit, duke preferuar shkuarjen në opozitë për t’u rimëkëmbur.

Por, pas dështimit të dielën të negociatave mes CDU-së, të Gjerlbërve dhe Liberalëve për formimin e një qeverie dhe përballë kërcënimit për zgjedhje të parakohshme, refuzimi i tij bëhet më kontravers.

Presidenti gjerman, social-demokrati Frank-Walter Steinmeier, i cili kërkon shmangien e zgjedhjeve legjislative të parakohshme, do ta presë kreun e social-demokratëve gjermanë, Martin Schulz të enjten dhe do të përpiqet ta bindë për të negociuar me Merkel.

“Jam i sigurt që do të gjejmë një zgjidhje të mirë për vendin tonë në ditët dhe javët që vijnë”, deklaroi sot Schulz për agjencinë gjermane të lajmeve DPA duke shtuar se SPD-ja ishte plotësisht koshiente për përgjegjësinë e saj.

Ai është i fundit prej krerëve të partive që presidenti gjerman ka parashikuar të presë këtë javë në kuadër të ndërmjetësimit.

Në rast zgjedhjesh të parakohshme, disa deputetë tremben se mund të dënohen nga zgjedhësit për zgjatje të krizës politike. Disa mendojnë se SPD-ja nuk është gati për një fushatë të re zgjedhore.

Komisioneri evropian për Buxhetin, gjermani Günther Oettinger ushtroi sërish presion ndaj Martin Schulz, ish-president i Parlamentit Evropian.

“Në emër të kapacitetit veprues të Gjermanisë në Evropë, SPD-ja duhet të mendohet mirë dhe të pyesë veten nëse do të bënte mirë të mos hynte në një qeveri”, theksoi konservatori për Spiegel.

Për Schulz, dështimi i tij në zgjedhjet legjislative dhe pikët mediokre për partinë konservatore të Merkelit tregojnë padyshim që gjermanët nuk dëshirojnë një koalicion të madh.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat