Londër: Nga sulmi me acid janë lënduar 6 vetë, arrestohet një 15 vjeçar

Evropë

Londër: Nga sulmi me acid janë lënduar 6 vetë, arrestohet një 15 vjeçar

Më: 24 shtator 2017 Në ora: 07:21
Londër

(E plotësuar) - Nga një sulm i dyshuar me acid në pjesën lindore të Londrës, janë lënduar gjashtë vetë, ka thënë sot policia britanike dhe ka njoftuar se është arrestuar një person 15 vjeçar.

Policia ishte ftuar mbrëmë vonë afër Stadiumit olimpik në Londër, pasi një substancë helmuese ishte përhapur gjatë një mospajtimi ndërmjet dy grupeve të meshkujve.

Policia tha se sulmi nuk ishte i ndërlidhur me terror.

Vitin e kaluar janë shënuar gjithsej 431 sulme me acid në Londër, ndërsa 398 prej tyre janë kryer në rajonin ku kishte ndodhur incidenti i fundit.

Policia ka njoftuar se lëndimet nuk paraqesin “kërcënim për jetë”, raporton agjencia AFP.

***

Policia e Londrës ka njoftuar se tetë qytetarë janë lënduar nga një sulm që ka ndodhur me “një lëndë të dëmshme”.

Siç raporton BBC, sulmi ka ndodhur në stacionin e metrosë në Stratfort, që gjendet në lindje të Londrës.

Pas raportimit të sulmit, në vendin e ngjarjes kanë shkuar shumë autoambulanca për të ofruar ndihmën e parë.

Policia njoftoi se sulmi ka ndodhur rreth orës 20:00 sipas kohës lokale, ndërsa kishin marrë njoftime se një grup i meshkujve spërkatnin qytetarët me substancë të dyshuar, e cila besohet të jetë acid.

Policia ka rrethuar vendin, ndërsa ka njoftuar se nuk bëhet fjalë për sulm terrorist.

Deri më tani një person është arrestuar, nën dyshimin e shkaktimit të lëndimeve të rënda trupore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat