Rajoy kërkon të anulohet referendumi për pavarësi i Katalonjës

Evropë

Rajoy kërkon të anulohet referendumi për pavarësi i Katalonjës

Më: 21 shtator 2017 Në ora: 06:15
Kryeministri i Spanjës, Mariano Rajoy.

Kryeministri i Spanjës, Mariano Rajoy, u shfaq në televizionin kombëtar për t’iu bërë thirrje separatistëve të Katalonjës të braktisin planet për referendumin për pavarësi më 1 tetor.

Ai kërkoi nga qeveria e rajonit të heqë dorë nga “përshkallëzimi i radikalizmit dhe mosbindjes”.

Autoritetet spanjolle kanë bërë përpjekje të ndalin votimin, të cilin e konsiderojnë si të paligjshëm, duke konfiskuar materialet e votimit.

Kërkimet e policisë në Barcelonë, kryeqytetin e Katalonjës, kanë shkaktuar protesta masive në rrugë, të mërkurën.

Rreth 40,000 njerëz kanë bllokuar hyrjen në Ministrinë e Ekonomisë së Katalonjës, mbrëmë vonë.

Partitë separatiste që kontrollojnë Parlamentin e Katalonjës, kanë miratuar ligjin për referendum në fillim të këtij muaji, pasi me vite kanë kërkuar të drejtën për të mbajtur votim të lirë për vetëvendosje.

Duke folur nga rezidenca e tij zyrtare, Rajoy tha se “ka ende kohë për t’i shmangur të këqijat më të mëdha”, ndërsa u bëri thirrje liderëve katalanas të respektojnë ligjin.

Katalonja, një rajon i pasur me 7.5 milionë banorë në verilindje të Spanjës, ka gjuhën dhe kulturën e saj, por nuk njihet si komb i veçantë nga shteti spanjoll.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat