Shpata jo e mprehtë e Komisionit të BE-së në rastin e Hungarisë

Evropë

Shpata jo e mprehtë e Komisionit të BE-së në rastin e Hungarisë

Më: 14 korrik 2017 Në ora: 12:23
Viktor Orban

Rregullisht Komisioni i BE-së e kritikon qeverinë nacional-konservatore të Viktor Orbanit në Hungari. Por Orbani vetëm qesh. Duket madje se kritika e Brukselit i shkon për shtat kryeministrit hungarez.

Viktor Orban dhe Komisioni i BE-së nuk pajtohen me njeri-tjetrin. Kjo sepse kryeministri hungarez do të krijojë fare hapur "demokracinë aliberale" dhe që nga fillimi i mandatit të tij të dytë më 2010 (mandati i parë ka qenë në vitet 1998 - 2002) ai i është afruar edhe më shumë qëllimit të tij. Sa herë që ai avanconte me ligje të tilla si ai për mediat, që zgjeroi kontrollin shtetëror ndaj tyre, reforma në drejtësi, që i vuri kufizime këtij sistemi, apo ligji për bankën qendrore, duke rritur nfluencën ndaj saj, BE-ja hapte procese kundër Hungarisë për shkejlje të marrëveshjeve. Madje disa prej këtyre proceseve vazhdojnë me vite, por pa asnjë pasojë. Së fundi u hap një proces për anullimin e politikës së BE-së për refugjatët nga ana e Hungarisë.

Dy përballjet e fundit kanë të bëjnë me një proces të Komisionit të BE-së kundër Hungarisë, për shkak të kushteve që u janë vendosur organizatave jo qeveritare si dhe ligji për shkollat e larta.

Amnesty do ta injorojë ligjin

Në rastin e parë Budapesti ka vendosur detyrimin për regjistrim të OJQ-ve, që marrin mbi 24.000 Euro në vit nga jashtë vendit. Parlamenti hungarez e miratoi këtë ligj në qershor. SIpas mendimit të qeverisë ligji duhet të krijojë më shumë transparencë në luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorit. Komisioni e konsideron këtë si shkelje të Kartës së BE-së për të Drejtat themelore. "Ne presim që brenda një muaji autoritet hungareze të reagojnë", tha zëvendëspresidenti i Komisionit të BE-së Frans Timmermans. Nëse nuk ka reagim, ose reagimi nuk është i mjaftueshëm për Komisionin, atëherë do të hapet proces për shkelje të marrëveshjes.

Nga rregullorja e re janë prekur organizata si Amnesty International, e cila ka deklaruar, se do t'i injorojë kushtet e vendosura dhe se e përshëndet mbeshtetjen qe vjen nga Brukseli. "Ligji i Hungarisë për OJQ-të a për qëllim t'i stigmatizojë OJQ-të. Hapi i ndërmarrë nga komisioni na jep një sinjal të qartë, që sulmet ndaj shoqërisë civile në BE-së nuk pranohen", thuhet në deklaratë.

Fushata anti-Soros

Në rastin e ligjit për shkollat e larta procesi është hapur qysh në prill të këtij viti. Qeveria hungareze ndryshoi ligjin për shkollat e larta. Kritikët e konsiderojnë këtë si një masë të qëllimshme ndaj "Central European University" në Budapest, i cili rrezikohet të mbyllet. Në vitin 1991 ky universitet u themelua nga miliarderi hebre nga SHBA-ja me origjinë hungareze George Soros. Ai mbështet edhe njerëz e grupime të të drejtave të njeriut në Hungari.

Ndërsa komisioni nuk do të ndërhyjë në rastin me Sorosin, pret që qeveria të japë një përgjígje lidhur me ligjet e diskutueshme. Lidhur me OJQ-të duhet të bëhet e qartë se cili është synimi, ndërsa për ligjin për shkollat e larta, ku është i hapur procesi i shkeljes së marrëveshjeve të BE-së, Budapesti duhet ta përmirësojë ligjin, nëse nuk e bën këtë komisioni do t'i drejtohet Gjykatës Europiane. Por Orbani e merr me qetësi procesin zyrtar të verifikimit, që ka nisur Komisioni i BE-së. Edhe në vitin 2011 Komisioni i vuri në shënjestër ligjet hungareze për mediet dhe reformën e gjykatës kushtetuese. Por kjo grindje u mbyll me një kompromis.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat