Paraja - gjuhë e përbashkët mes Turqisë dhe BE

Evropë

Paraja - gjuhë e përbashkët mes Turqisë dhe BE

Më: 21 mars 2017 Në ora: 09:30
Ilustrim

Megjithë tonet agresive nga Ankaraja, disa elemente të bashkëpunimit me BE vazhdojnë të funksionojnë. Në veçanti atje ku bëhet fjalë për para. Po çfarë është bërë një vit pas nënshkrimit të Marrëveshjes Turqi - BE?

Përkundër ofendimeve dhe akuzave mes Ankarasë dhe disa vendeve të Bashkimit Evropian, numri i refugjatëve që vijnë nga Turqia në vendet e BE është zvogëluar në mënyrë dramatike. Sipas të dhënave të fundit të Organizatës Ndërkombëtare për Migracion, nga Turqia në Greqi kanë ardhur këtë vit vetëm 2.800 refugjatë. Sa për krahasim, në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar kishin ardhur 143.000.

Megjithë retorikën agresive, marrëveshja "e rëndë" tre miliardë euro vazhdon të aplikohet në aspektin teknik dhe financiar. Deri tani janë shpenzuar gjysma e parave të parashikuara, thotë Xhejn Luis, nga zyra për Turqinë në Agjensinë Evropiane për Ndihma Humanitare. Marrëveshja ka edhe dobësitë e veta. Ankaraja ka nevojë për ndihma financiare, liberalizimin e vizave për qytetarët e saj si dhe rifillimin e negociatave për anëtarësim në BE. Këto negociata tani janë ngrirë, për shkak të mosmarrëveshjeve të fundit. Por Luis për Deutsche Wellen thotë se ndërkohë janë duke u zhvilluar disa programe shumë të rëndësishme humanitare në sektorin e arsimit dhe shëndetësisë për tre milionë refugjatë sa janë në Turqi.

Qëllimi i programit është integrimi i tyre sa më i mirë në shoqërinë turke, sepse dihet se një numër i madh i sirianëve dhe irakianëve mund të mbetet në Turqi me vite të tëra. Deri tani janë paguar 777 milionë euro nga tre miliardët e parashikuar. Pjesa më e madhe e parave ësthë investuar në heqjen e pengesave për integrim – në arsim dhe tregun e punës, shkruan DW,

Image

Sigurimi i gjërave elementare

Pjesa më e madhe e programit që bashkëfinancohet nga BE ka të bëjë me identifikimin e problemeve rreth regjistrimit të familjeve të prekura. Bëhet fjalë për nënat e vetmuara me fëmijë, të moshuarit dhe invalidët. Këto familje janë furnizuar me kartela, me të cilat mund të tërheqin para në automatë. Një familje ka një kartelë në të cilën paguhet çdo muaj një shumë e caktuar. Shuma varet nga numri i anëtarëve të familjes, por çdo anëtar merr në muaj rreth 25 euro.

Ata që kritikojnë këtë formë të financimit thonë se ndihmat jepen pa kurrfarë kriteresh. Luis përgjigjet se ndërkohë janë hartuar edhe masa të tjera për shkollim dhe përgatitje profesionale. Nëpër këtë program kanë kaluar deri tani 260.000 vetë.

Deri me 2018 numri i atyre që do të marrë ndihma do të jetë rreth një milion, sa është planifikuar në fillim. Xhonatan Kembel, zëvendësdrejtor i Programit Botëror për Ushqime thotë se ndihmat e para ngadalë po shndërrohen në programe të qëndrueshme. Qëllimi është që të stabilizohet dhe përmirësohet gjendja e të gjithë refugjatëve.

Image

Investimi për të ardhmen

Nga maji i këtij viti do të niset edhe një program arsimor i UNICEF-it, me një buxhet prej 34 milionë euro. Në kuadër të tij paratë do të paguhen për fëmijët që shkojnë në shkollat turke. Nga ky program duhet të përfitojnë 230.000 fëmijë. Për shkak të mungesës së ndihmave, aktualisht në shkollë nuk shkojnë rreth 370.000 fëmijë refugjatë, sa jetojnë në Turqi. Qëllimi është që të gjithë ata të ndihmohen.

Ka vazhduar edhe ndarja e ndihmave humanitare, ndonëse kjo nuk është fare e lehtë. Autoritetet turke e kanë ndaluar së fundi punën organizatës humanitare Mercy Corps, e cila ka marrë rreth pesë milionë euro, në kuadër të Marrëveshjes mes Turqisë dhe BE për ndihma. Autoritetet turke nuk kanë dhënë shpjegime pse e kanë ndaluar punën e saj. Aitor Zabalgogeazkoa nga organizata "Mjekët pa kufij" thotë për DW se puna humanitare në Turqi po bëhet gjithnjë e më e vështirë, por dërgimi i ndihmave vazhdon. "Shoqëria turke ka treguar se mund të përballet me këtë krizë. Situata e refugjatëve në Turqi nuk është aq e keqe sa në Greqi p.sh. ku kemi 60.000 refugjatë praktikisht të bllokuar, pa asnjë perspektivë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat