Evropa, Moska dhe shiitët: Lufta në tre fronte e ekstremistëve sunitë

Evropë

Evropa, Moska dhe shiitët: Lufta në tre fronte e ekstremistëve sunitë

Më: 21 dhjetor 2016 Në ora: 18:58
ilustrim

Tmerri i Berlinit, plaga e re e hapur në një kryeqytet të madh evropian, mban vulën e pangaëerrueshme të ISIS-it. Një nënshkrim, për mënyrën e kryerjes dhe qëllimin e atentatit. Vrasja e ambasadorit rus në Ankara bart një tjetër vulë, sipas asaj që thuhet në mediat turke dy netë më parë (ndonëse ende e pakonfirmuar), atë të Frontit Al-Nusra, një tjetër metastazë e shpërbërjes së Al-Kaedës në Irak dhe Siri.

Dy sulme të ndryshme, por që lindin nga një rrënjë e përbashkët, ekstremizmi sunit. I njëjti salafizëm xhihadist që mbizotëroi Pranverën Arabe, dhe i ktheu revolucionet në luftërat sektare kundër “të pafeve” të krishterë dhe myslimanë. Sunitët, tani më shumë se kurrë, janë vetëm kundër të gjithëve. Fitorja e Bashar Al-Asadit dhe Vladimir Putinit në Alepo, i ka dhënë paradoksalisht frymëmarrje fondamentalizmit salafit.

Rebelët “e moderuar” dhe të ish-Frontit Al-Nusra, kanë ndarë bashkë betejën nën bombardimet e ashpra të aviacionit rus. Paaftësia e Perëndimit për të mbrojtur civilët e pafajshëm, dhe sidomos për të ndarë xhihadistët nga luftëtarët e tjerë, çoi në humbjen e rebelëve. Bota arabo-sunite gjendet nën shok. As aleatët në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara, dhe as monarkitë e Gjirit nuk qenë në gjendje të jepnin garancitë e nevojshme.

Garantja tjetër e sunitëve, Turqia, është duke synuar arritjen e një marrëveshje me Armikun e Madh, Rusinë. Ekstremistët dalin si mbrojtësit e “vërtetë” të Sunës. Kjo u pa në fazat e fundit të betejës së Alepos. Dhe shihet ende në ‘gjakun’ e ri që duket se po përshkon Kalifatin e Ebu Bekr El-Bagdadit. Teza totalitare e Kalifit rimerr jetë nga realiteti.

Sunitët arabë janë të vetëm kundër të gjithëve. Perëndimit të krishterë, Iranit “heretik” që udhëheq shiitët, një Rusi sërish perandorake në Lindjen e Mesme. Dhe ata që lëshojnë kundërsulmin janë ekstremistët. Më shumë se sa një hakmarrje për Alepon, sulmi i Ankarasë është një përpjekje për të bllokuar atë çka duhet të ndodhë post-Alepos.

Samiti që do të mbahet në Moskë javës që vjen, mes Ministrave të Jashtëm të Rusisë, Turqisë dhe Iranit, do të miratojë strukturën e ardhshme të Sirisë. Inisiativa diplomatike është përçarëse. Mban jashtë OKB-në, dhe veçanërisht Shtetet e Bashkuara, King Maker-i i rajonit prej mëse 70 vjetësh. Disfata e Alepos shkon përtej aspekteve lokale. Ajo është guri i varrit mbi projektin e zëvendësimit të republikave laike, por autoritare, nga Tunizia në Siri, me një plejadë shtetesh të udhëhequra nga lëvizje islamike të moderuara.

Projekti pësoi një ndalesë të parë të papritur në Egjipt në vitin 2013, kur presidenti i Vëllazërisë Myslimane, Muhamed Morsi, nuk u tregua në lartësinë e detyrës dhe u largua nga gjenerali Abdel Fatah El-Sisi, me pëlqimin e Uashingtonit dhe Riadit. Megjithatë, humbja në Alepo, ka shumë më tepër peshë, për shkak se përbën një ndryshim përfundimtar dhe me forcë të kursit nga ana e Rusisë dhe Iranit, të arritur me anë të bombardimeve shkatërruese nga aviacioni i Moskës, dhe këmbësoria shiite e stërvitur nga Teherani.

Britma e dhimbjes që u ngrit në vendet sunite, denoncimi i masakrës së Alepos, i një “Srbrenice” të re, madje edhe një “Holokausti” të ri, u shoqëruan nga një seri reagimesh përçarëse nga ana e elementëve ekstremistë. Është e vërtetë që vakuimi i civilëve nga lagjja e fundit nën kontrollin e rebelëve në Alepo u frenua nga milicitë shiite të padisiplinuara, por shumë më tepër nga grupet e luftëtarëve salafitë, dhe jo vetëm të ish-Frontit Al-Nusra.

Spektali i shëmtuar i autobuzëve që iu vihej flaka në hyrje të Fua-s dhe Kefraia-s, dy qyteza ku gjenden mijëra të pafajshëm të tjerë, shiitë, të cilët kanë vuajtur për 4 vjet më rradhë, është tregues i dëshirës për një hakmarrje të pandalshme. Talebanët, Hamasi, vetë ISIS-i, janë ofruar si “mbrojtës” të Alepos. Sipas mënyrës së vet. Si në Berlin dhe Ankara, autorësia e sulmeve mbetet e paqartë.

Por është e qartë se xhihadistët po përpiqen të marrin nën kontroll “post-Alepon”. Mobilizimi i madh i sunitëve të “moderuar”, nuk e ndali humbjen e pashmangshme. Putini shihet tanimë si armiku i madh i islamit politik, i trashëgimtarëve të Vëllazërisë Myslimane, i fuqive konservatore. Por edhe Rexhep Taip Erdogan konsiderohet një “tradhtar”. Ai qe betuar se do të shkonte të lutej në xhaminë Umajade në Alepo, sapo qyteti të “çlirohej” nga rebelët, dhe tashmë po bisedon për të arritur një marrëveshje me armikun e tyre për jetë a vdekje.

Lëvizjet xhihadiste, nga ISIS-i e poshtë, e kanë tashmë të thjeshtë të pretendojnë se “ata” janë të vetmit garantë të arabo-sunitëve. Rifuqizimi i Kalifit, që po reziston në Mosul, ka rimarrë Palmirën, ka nisur një sulm në zemër të Jordanisë, dhe rrikthehet të godasë Evropën, është simptoma e parë.

El-Bagdadi vazhdon të kërcënojë se do “të mbërrijë në Romë” ashtu si edhe “në Mekë dhe Medinë”. Arabia Saudite është angazhuar në një luftë në malet e Jemenit, një lloj Afganistani në Gadishullin Arabik, kundër rebelëve shiitë Huthi. Ajo gjendet e rrethuar mes dy zjarreve. Rikompozimi i Lindjes së Mesme, që filloi 6 vjet më parë në Tunizi, doli jashtë kontrollit dhe kërcënon Perëndimin si edhe aleatët e tij tradicionalë.  / “La Stampa” – www.bota.al

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat