Presidenti francez viziton Portin e Kalesë

Evropë

Presidenti francez viziton Portin e Kalesë

Më: 26 shtator 2016 Në ora: 21:38
ilustrim

Presidenti francez Francois Hollande u zotua të mbyllë kampin e emigrantëve në portin e Kalesë deri nga fundi i vitit. Ai u bëri thirrje autoriteteve britanike që të bëjnë pjesën që u takon për të mbështetur të porsaardhurit.

Presidenti francez Francois Hollande vizitoi sot kampin e Kalesë, ku janë vendosur një numër i madh emigrantësh.

Kampi i krijuar në mjediset e portit është cilësuar si xhungël, për shkak të dendësisë së njerëzve që jetojnë atje, në kushte jo normale, nëpër kabina të siguruara nga qeveria franceze, ku njerëzit përpiqen të strehohen me turne. Pjesa më e madhe e emigrantëve të grumbulluar në kamp donin të kalonin Ngushticën e Kalesë, për të hyrë në Britani, por u ndaluan në kufi nga autoritetet.

"Jam i vendosur të shoh që edhe autoritetet britanike do të luajnë rolin e tyre në përpjekjen humanitare që po merr përsipër Franca dhe që do të vazhdojë ta përmbushë edhe në ditët e ardhshme,” tha Presidenti francez.

Kjo ishte vizita e parë e zotit Hollande si president në portin e Kalesë. Atje jetojnë 7 mijë deri në 10 mijë emigrantë të ardhur nga Sudani dhe Afganistani.

Zoti Hollande tha se autoritetet “janë duke iu afruar një zgjidhjeje” për krizën e emigrantëve, duke shtuar se mbyllja e kampit të Kalesë do të realizohej në përputhje me “vlerat e republikës.”

Rreth 80 për qind e emigrantëve që jetojnë në kamp kanë të drejtën për të kërkuar strehim të ligjshëm. Zyrtarët kanë në plan t’i sistemojnë refugjatët në 164 qendra emigrantësh në mbarë Francën, para ardhjes së dimrit./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat