Francë, çështja e gjymtimit të gjenitaleve femërore

Evropë

Francë, çështja e gjymtimit të gjenitaleve femërore

Më: 31 gusht 2016 Në ora: 23:47
ilustrim

Rreth 60 mijë gra dhe vajza në Francë dhe gati gjysmë milion ose më shumë në të gjithë Bashkimin Europian janë viktima të një praktike të dhimbshme dhe ndonjëherë vdekjeprurëse, që njihet si gjymtimi i gjenitaleve femërore. Pavarësisht përpjekjeve në të gjithë botën për ta eliminuar këtë praktikë, ekspertët thonë se imigracioni po i rrit shifrat e viktimave të saj në Evropë, si dhe në Shtetet e Bashkuara. BE-ja po përpiqet të gjejë mënyrën e duhur për të luftuar një traditë të lashtë. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Lisa Bryant njofton nga Parisi mbi një klinikë të hapur në rrethinat e qytetit, që është ndër të paktat në France e specializuar rreth kësaj praktike.

Miriam ende kujton ditën që ajo u pre nga një grua në fshatin e saj në Mali. Ajo ishte vetëm shtatë vjeç. Kjo ndodhi dy dekada më parë, por ajo ende ndjen pak dhimbje. Sot, ajo ka frikë se vajza e saj pesë muajshe mund të jetë viktima e radhës. Kjo frikë e shtyu Miriamin të largohet nga Spanja, ku ajo jetonte si emigrante, dhe të shkojë në këtë qendër për gra në periferi të Parisit.

“Shohim shpesh gra të tilla, që kanë pak kohë në Francë, të cilat kanë qenë viktima të gjymtimit të gjenitaleve dhe duan të mbrojnë vajzat e tyre nga kjo traditë” , thotë Mathilde Delespine, punonjëse tek qendra për gra.

Qendra është pjesë e një spitali publik, që i shërben një nga zonave më të varfra dhe më heterogjene të Francës. Rreth 14 për qind e lindjeve në atë zonë janë nga nëna që janë viktima të kësaj praktike. Shumë prej tyre janë nga Afrika nën-Sahariane, ndonëse kjo praktikë zbatohet edhe në disa pjesë të Lindjes së Mesme dhe Azisë.

E hapur në korrik, qendra e grave bashkëpunon me OJQ-të lokale dhe ofron një sërë mjekësh specialistë, duke përfshirë dhe psikologë. Disa paciente vijnë për probleme të zakonshme gjinekologjike. Të tjera janë viktima të dhunës në familje. Ka të tjera, që e zbulojnë për herë të parë se organet e tyre gjenitale janë prerë vetëm pasi vizitohen tek mjeku.

“Në përgjithësi, ato janë gra që kanë lindur në Francë dhe që janë kthyer në vendin e tyre (për pushime) dhe nuk e mbajnë mend ngjarjen për shkak të traumës,” thotë Elodie Edmont, një mami e qendrës.

Franca ka tolerancë zero ndaj praktikës së gjymtimit gjenital të femrave, që përfshin dënime me burg për shkelësit, edhe në qoftë se bëhet jashtë vendit.

“Është një ligj i mirë, por jo i mjaftueshëm sepse duhet të ketë ndryshim sjelljeje në komunitetet që të ndalohet përfundimisht kjo praktikë”.

Miriami, emrin e vërtetë të së cilës nuk e përdorim për arsye sigurie, thotë se bashkëshorti i saj do që të kthehet në Mali. Nëse ndodh kjo, vajza e saj do të jetë viktima e radhës, thotë ajo.

“Nuk kemi zgjidhje tjetër. Është praktikë. Kam shtatë motra dhe të gjitha janë prerë”thotë Miriami.

Mamija Delespine ekzaminon vajzën e Miriamit. Ajo shkruan në një çertifikatë se vajza nuk është prerë. Roli i çertifikatës është ta ndihmojë atë nëse largohet nga Franca në një vend ku praktikohet gjymtimi i gjenitaleve femërore. Kjo mund të jetë një zgjidhje për këtë fëmijë, por jo për problemin më të madh të praktikës./Voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat