Tsipras, huadhënësve europianë: Reduktoni borxhin grek, siç bëtë me Gjermaninë në Londër

Evropë

Tsipras, huadhënësve europianë: Reduktoni borxhin grek, siç bëtë me Gjermaninë në Londër

Më: 9 gusht 2016 Në ora: 21:00
Alexis Tsipras

Kryeministri grek Alexis Tsipras, duke marrë shkas nga përvjetori i 63-të i Marrëveshjes së Londrës midis Gjermanisë dhe huadhënësve të saj, i ka bërë thirrje Europës me një mesazh në faqen e tij personale në “Facebook”, që të qëndrojë në lartësinë e duhur, duke parë drejt së ardhmes dhe duke nënshkruar një marrëveshje sociale, që siguron mirëqenien e popujve të familjes europiane.

Alexis Tsipras kujton se, më 8 gusht të vitit 1953 kanë përfunduar negociatat mes Gjermanisë së shkatërruar nga lufta dhe kreditorëve të saj, që në bisedimet e Londrës i kanë falur asaj 60% të borxhit dhe i kanë dhënë afat 30 vite për shlyerjen e dytyrimeve të tjera të saj, në një lëvizje solidariteti të cilën e ka nënshkruar edhe vet Athina.

Në këtë kuadër, - shkruan ai, duke vendosur në rrjetin social edhe një fotografi të asaj konference, - edhe “Syriza”, si atëherë kur ishte në opozitë, edhe tashmë që është në pushtet, vendos në qendër të bisedimeve me partnerët europianë çështjen e reduktimit të borxhit kolosal të Greqisë, një vendim që ka marrë një pohim pozitiv në samitin e Eurogrupit të 24 majit të këtij viti.

Mesazhi i kryeministrit vjen pas publikimit të nismës së ndërmarrë nga ai, për të thirrur në fillim të shtatorit në Athinë, një konferencë të udhëheqësve të vendeve jugore të BE-së, e cila do të përqëndrohet te sfidat kryesore që përballon në nivel ekonomik, politik dhe institucional, dhe që përbën në thelb një përpjekje për një ecuri të përbashkët të vendeve jugore të unionit.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat