Terror në Londër, 1 viktimë e 5 të plagosur gjatë një sulmi me thikë

Evropë

Terror në Londër, 1 viktimë e 5 të plagosur gjatë një sulmi me thikë

Më: 4 gusht 2016 Në ora: 07:19
Zona e Londres ku u vra një grua pasi u sulmua me thikë

(E plotësuar) - Një grua amerikane është vrarë me thikë nga person që dyshohet se ka të meta mendore në kryeqytetin e Britanisë së Madhe, Londër, ka thënë policia britanike të enjtën, raporton Reuters.

Të dhënat e fundit thonë se nuk ka dëshmi se sulmi ka lidhje me terrorizëm.

“Gruaja e vrarë është shtetase amerikane. Pesë të lënduarit e tjerë janë një australian, një amerikan, një izraelit dhe një britanik”, ka thënë komisioneri ndihmës i policisë së Londrës, Mark Rowley.

Nuk janë dhënë detaje të tjera rreth të lënduarve.

Rowley ka thënë se një shtetas norvegjez me origjinë nga Somalia është paraburgosur si autor i dyshuar i sulmit, porse nuk kanë gjetur asnjë dëshmi që thonë se ai është i radikalizuar.

“E gjithë puna e bërë deri më tash çon te ajo se ky incident tragjik është nxitur nga problemet shëndetësore mentale”, ka thënë Rowley.

“Ne besojmë se ky ka qenë një sulm spontan ndërsa viktimat janë zgjedhur rastësisht”, ka thënë më tej ai.

Një grua është vrarë dhe pesë të tjerë janë plagosur gjatë një sulmi me thikë në qendër të Londrës, sulm ky që sipas policisë mund të ketë lidhje me terrorizëm.

Një 19 vjeçar është arrestuar në vendin e ngjarjes pak para mesnatës më 3 gusht në “Russell Square” në zemër të qytetit.

“Terrorizmi është një nga fushat që po mundojmë ta verifikojmë” ka thënë policia e Londres më 4 gusht.

Policia më vonë tha se “të dhënat e para tregojnë që shëndeti mendor mund të jetë një faktor i rëndësishëm”, edhepse sërish nuk e kanë përjashtuar terrorizmin.

Gruaja është trajtuar nga shërbimi mjekësor i emergjencës, por më pas është deklaruar e vdekur. Nuk janë dhënë detaje rreth gjendjes së të plagosurve.

Në vendin e ngjarjes janë dërguar njësi të shumta policore, zonë kjo ku gjendet Muzeu Britanik dhe Universiteti i Londres.

Image
Image
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat