Haliti: Nuk i njohim aq shumë kundërshtaret e evropianit

Basketboll

Haliti: Nuk i njohim aq shumë kundërshtaret e evropianit

Nga: Kemajl Goca Më: 30 qershor 2016 Në ora: 12:21
Kosova U-18

Në një atmosferë të mirë, basketbollistet e talentuara stërvitni me zell të shtuar në sallën e gjimnazit ‘Sami Frashëri’ në Prishtinë. Kombëtarja e Kosovës U-18 përgatitet për Kampionatin Evropian, Divizioni C, grupi B në basketboll, ku do të mbahet nga data 8 korrik deri me 13 korrik. Trajnerja Kimete Haliti së bashku me trajnerin Chris Dial punonin sipas programit të paraparë që basketbollistet t’i mbushin bateritë para kësaj ngjarje të rëndësishme. Në fytyrat e secilës basketbolliste shihej vullnet e dëshirë në stërvitje për të arritur më të mirën. Të gjitha ishin optimiste para garës në Tbilisi të Gjeorgjisë, me bindje se do të ia zbardhin fytyrën shtetit të Kosovës. Trajnerja Haliti thotë për gazetën kombëtare “Bota sot” se ecuria e stërvitjeve po shkon sipas planit dhe nuk kanë asnjë telashe sa i përket lëndimeve apo gjërave tjera. “Nga tetori i vitit të kaluar kemi filluar të punojmë me këto vajza, ku ka qenë numër shumë i madh dhe nga ai numër tani kemi mbetur lista e ngushte prej 14 lojtareve. Nga data 26 qershor deri me 1 korrik dhe pas 1 korrikut do të mbesin veç 12 lojtare të cilat do të udhëtojnë. Tani jemi në fazën intensive para kampionatit ku po punohet dy herë në ditë me nga dy orë”, thotë Haliti. A mendoni se ky kamp do të shërbejë për të mirë që të përgatiteni për Kampionatin Evropian për këtë grup-moshë? “Kampi i ka të mirat e veta, pasi që vajzat po e njohin më shumë njëra-tjetrën. Të gjitha vajzat janë bashkë (24 orë tani) dhe veç janë bashkuar edhe dy lojtaret nga jashtë. Po bëhet një punë e mirë, atmosfera në ekip është shumë e mirë, shpresoj që të vazhdon më këtë ritëm”, theksoi ajo. Trajneri e U-18 tha se po iu mungon shumë palestra sportive. “Po na mungon palestra, pasi që po stërvitim në sallën e gjimnazit ‘Sami Frashëri’, kurse për gjërat tjera  deri me tani gjithçka ka shkuar në rregull, pasi që federata është përgatit gjatë kësaj kohe për t’i plotësuar gjitha kushtet e mundshme lojtareve dhe trajnerëve”, thotë Haliti. Kosova është në grup mjaft të fortë, me Gjibraltarin, Maltën, Gjeorgjinë, Andorrën, cila kombëtare do të paraqet më shumë vështirësi dhe sa keni mundur t’i studioni? “Pasi është hera parë që Kosova merr pjesë në garat e FIBA-s, nuk i njohim edhe aq shumë kundërshtaret, por ne po shkojmë me mendjen që të arrijmë më të mirën atje”, përgjigjet Haliti, duke këmbëngulur se janë përgatitur mjaft deri më tash dhe beson se do të jenë të gatshme për çdo sfidë deri me 8 korrik. “Tani veç është faza e fundit e përgatitjeve dhe nga fundi i kësaj jave do të fillojmë me lojë miqësore, ku do të zhvillojmë me përfaqësuesen e Maqedonisë, e cila shpresoj që do të na shërbej për eliminimin e gabimeve gjatë kësaj kohe”, thotë Haliti.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat