VV kritikon Qeverinë për bojkotim të seancës (Drejtpërdrejt)

Kosova

VV kritikon Qeverinë për bojkotim të seancës (Drejtpërdrejt)

Më: 9 qershor 2016 Në ora: 15:20
Kuvendi

(E plotësuar) - Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, sot u kthyen në Kuvend, pas një kohë të gjatë të bojkotimit të seancave të Kuvendit

Por ata patën kritika të ashpra, në drejtim të koalicionit qeveritar. Ndërsa reaguan dhe për mungesën në seancë të kryeministrit Isa Mustafa dhe ministrave të tij, duke pohuar se tashmë Kuvendi po bojkotohet nga vet qeveria.

Albulena Haxhiu tha se mungesa e kabinetit qeveritar në seancë, tregon se sa e përgjegjshme është kjo Qeveri.

Haxhiu: Na thirrnin të kthehemi në Kuvend, ku janë tash ata

“Se sa serioze dhe sa e përgjegjshme është kjo qeveri, e kuptojmë edhe nëse i shohim karrikat e ministrave dhe kryeministrit, 21 sa janë tre qenkan. Dhe natyrisht po duket që kjo Qeveri nuk po e di që Kosova është republikë parlamentare dhe jo qeveritare qysh po tenton ta bëjë ta shndërroje në republikë qeveritare. Qeveria e ka për obligim t’i raportoj këtyre deputeteve dhe këtij kuven di. Na bënin thirrje që të kthehemi në Kuvend, ku janë tash për të dhënë llogari para të gjitha shkeljeve që i kanë bërë“, tha Haxhiu.

Edhe kolegu i saj Faton Topalli e ngriti si shqetësim mungesën në seancë të kryeministrit dhe ministrave të tij. Ai tha se qeveria tashmë po e bojkoton Kuvendin.

Topalli: Qeveria po e bojkoton Kuvendin

“Kur po shoh karriget e zbrazëta, aty ku duhet të ulet Qeveria, shtroj me të drejtë pyetjen për të konstatuar edhe ju si kryesues i mbledhjes, se Qeveria e Kosovës, është duke bojkotuar Kuvendin e Kosovës. Kjo pyetje shtrohet akoma dhe më shumë pas ftesave të shumta të kryeministrit, që opozita të kthehet në Kuvend. Kur lëvizja VV kthehet në Kuvend, atëherë kryeministri i Kosovës së bashku me shumicën e kabinetit të tij qeveritar, bojkoton pikërisht Kuvendin e Kosovës, ashtu siç është bojkotuar dhe injoruar dhe n ë shumë raste të tjera”, tha Topalli.

E Donika Kadaj –Bujupi tha se Kosova me këtë regjim në krye, nuk po arrin ta shtrijë sovranitetin në tërë territorin e Kosovës. Ajo tha se nga shumë premtime të bëra, koalicioni qeverisës ka mbajtur vetëm premtimin e negociatave me Serbinë, të cilat rrezikuan sovranitetin e vendit.

Bujupi: Me këtë regjim, Kosova s’po mund ta shtrijë sovranitetin

“Sot e pas 17 viteve të mbarimit të luftës, e tetë viteve të pavarësisë, Kosova jo që nuk arriti të anëtarësohet në OKB, por është më e keqja që sot e kësaj dite Kosova me këtë regjim në krye, nuk po arrin ta shtrijë sovranitetin dhe sundimin e ligjit as deri në Mitrovicë“, tha Kadaj-Bujupi.

Por ish-deputetja e AAK-së që kaloi në Vetëvendosje nuk iu bind urdhrit të Xhavit Halitit, që ta lëshojë foltoren, pasi që kishin kaluar minutat e paraparë për të. Megjithëse iu ndal mikrofoni, ajo e vazhdoi fjalimin edhe pa mikrofon. Xhavit Haliti i cili kryesonte seancën iu lut disa herë që ta lirojë foltoren, por Kadaj nuk u tërheq, derisa e përfundoi fjalimin e paraparë.

Ndërsa Vjosa Osmani, ka reaguar lidhur me deklaratat e deputeteve te Listës “Srpska” rreth shndërrimit të FSK-së në ushtri të Kosovës. Ajo thotë se shndërrimi i FSK-së në ushtri, nuk varet nga deputetet e listës serbe dhe as nga shefi i tyre në Beograd.

Osmani: Ushtria e Kosovës nuk varet nga serbet

“Unë dua ti siguroi këta deputet të listës ‘Srpska’, se shndërrimi i FSK-së në një forcë të armatosur të ngjashme me vendet e rajonit, nuk varet nga ata. Nuk varet nga Lista serbe. Në fakt as nga shefi i tyre në Beograd. Ky shndërrim nuk varet as nga ndryshimet kushtetuese ku lista serbe synon ta shfrytëzoj votën e saj për bllokim...nëse duam ushtrinë, kjo gjë mund të bëhet gjatë ditës. Ushtrinë nuk e bënë emri, ushtrinë e bënë armatimi. Ushtrinë e bënë numri ”, tha Osmani.

Ndërsa Ministri i Punëve të Brendshme, Skender Hyseni, duke folur për implementimin e ligjit që ndalon pjesëmarrjen në luftërat jashtë vendit, ka thënë se po bëhet një vit që ka hyrë në fuqi ligji dhe në gjuhën e numrave, brenda kësaj periudhe janë ngritur 33 kallëzime penale. Hyseni duke iu përgjigjur deputetes Alma Lama, lidhur me implementimin e ligjit dhe rezultatet e dala nga ky ligj, theksoi se ligji ka prodhuar konsekuenca pozitive.

Vazhdon seanca plenare

Kuvendi i Kosovës po vazhdon seancën plenare, ku do të shqyrtohet raporti i punës së Agjencisë Kosovare të Privatizimit për vitin 2015, si dhe raporti i punës së Zyrës Rregullatore për Ujësjellës dhe Kanalizim për vitin 2015.

Fillimisht pritet të fillojë zgjedhja e tre anëtarëve të Bordit për Ankesa të Mediave. Pastaj do të shqyrtohet propozim-vendimit për caktimin e pagës së Auditorit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës.

Më pas do të shqyrtohet raporti i punës së Agjencisë Kosovare të Privatizimit për vitin 2015, si dhe raporti i punës së Zyrës Rregullatore për Ujësjellës dhe Kanalizim për vitin 2015.

Kurse, në fund do të shqyrtohet propozimi i GP të Listës Serbe për zëvendësimin e anëtarit në Komisionin për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë.

 

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat