Bajrami foli për rritjen e konkurrueshmërisë së ndërmarrjeve, lehtësimin e tregtisë dhe rritjen e eksportit, në Konferencën e Nivelit të Lartë për MSA

Ekonomi

Bajrami foli për rritjen e konkurrueshmërisë së ndërmarrjeve, lehtësimin e tregtisë dhe rritjen e eksportit, në Konferencën e Nivelit të Lartë për MSA

Më: 17 maj 2016 Në ora: 21:37

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, mori pjesë në Konferencën e Nivelit të Lartë për Marrëveshjen për Stabilizim Asociim, mbajtur sot në Prishtinë.

Në fjalën e saj, znj. Bajrami tha se Marrëveshja për Stabilizim Asociim, e cila ka filluar të implementohet nga muaji prill i këtij viti, ofron mundësi të shumta për ndërmarrjet kosovare. Marrëveshja, tha ministrja, është asimetrike dhe në favor të produkteve të Kosovës të cilave u është hapur rruga për të depërtuar pa kufizime në tregjet e BE-së, duke i mbrojtur për një periudhë disavjeçare një kategori produktesh nga vendi ynë. Në mënyrë që kompanitë kosovare dhe ekonomia e vendit tonë të përfitojë sa më shumë nga MSA-ja, institucionet shtetërore janë mobilizuar dhe kanë bërë punë të konsiderueshme përgatitore me qëllim që implementimi i marrëveshjes të shkojë sa më mirë, shtoi ministrja. Znj. Bajrami nënvizoi më tej se MSA shoqërohet edhe me sfida, që nënkupton se duhet punuar në vazhdimësi në ndërmarrjen e reformave dhe krijimin e politikave të cilat ndikojnë në rritjen e konkurrueshmërisë së ndërmarrjeve tona karshi atyre nga vendet e BE-së, dhe kjo është punë e përbashkët e cila po bëhet në bashkëpunim të ngushtë me komunitetin e biznesit tha ajo.

Ministrja më tej shpjegoi se të gjitha institucionet e Kosovës kanë punuar në hartimin e programit zbatues të MSA-së në të cilin përfshihen masat legjislative dhe masat zbatuese. Ajo shtoi se në përputhje me këtë plan, MTI po punon ngushtë me bizneset në informimin e tyre rreth MSA-së dhe modaliteteve të zbatimit të saj. Ajo tha se po punohet edhe në shumë dimensione tjera të cilat do të ndikojnë në rritjen e konkurrueshmërisë së ndërmarrjeve kosovare dhe krijimit të një klime të përshtatshme për të bërit biznes në vend. Në këtë mes, ministrja Bajrami, ndër të tjera, përmendi punët rreth kompletimit dhe përmirësimit të legjislacionit të shërbimeve, kompletimit të kornizës ligjore të infrastrukturës së cilësisë dhe ngritjen e kapaciteteve të infrastrukturës së cilësisë ku parashihen një varg veprimesh, si: kompletimi i laboratorëve të metrologjisë dhe ngritja e laboratorëve që mungojnë, hulumtimi i produkteve potenciale për mbrojtjen e treguesve gjeografik, avancimi i fushës së pronësisë industriale; rritja e numrit të trupave të konformitetit, ngritja e vetëdijes së bizneseve për shfrytëzimin e infrastrukturës së cilësisë, mbështetja e bizneseve në implementimin e standardeve dhe certifikimin e produkteve, avancimin e databazës së inspektoratit të tregut me qëllim të mbrojtjes së konsumatorit; anëtarësimin në organizatat relevante evropiane të infrastrukturës së cilësisë, etj.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat