Kosova e Shqipëria me marrëveshje për mbrojtjen e investimeve (Foto)

Ekonomi

Kosova e Shqipëria me marrëveshje për mbrojtjen e investimeve (Foto)

Më: 3 maj 2016 Në ora: 16:35

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami dhe Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes e Shqipërisë, Milva Ekonomi, nënshkruan sot në Tiranë marrëveshjen bilaterale për nxitjen dhe mbrojtjen e investimeve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë.

Sipas një Komunikate të Ministrisë së Tregtisë, me këtë marrëveshje synohet intensifikimi i bashkëpunimit ekonomik në interesin e përbashkët të të dy vendeve, si dhe krijimi i kushteve të favorshme për investime në territorin e vendeve respektive.

Ministrja Bajrami falënderoi ministren Milva Ekonomi për pritjen e përzemërt, si dhe për gatishmërinë e Qeverisë së Shqipërisë për të thelluar më tej marrëdhëniet ndërshtetërore me Republikën e Kosovës. “Kam bindjen e plotë që Marrëveshja

“Për Nxitjen dhe Mbrojtjen e Investimeve” të cilën e nënshkruam sot, si dhe të tjerat që pritet të nënshkruhen në mbledhjen e përbashkët të të dy qeverive që pritet të mbahet në muajin qershor në Prishtinë, do të inkurajojnë edhe më tej investimet reciproke në të dy vendet tona dhe do të rrisin sigurinë e këtyre investimeve” u shpreh ministrja Bajrami.

Ajo shtoi se është e natyrshme që investitorët seriozë kërkojnë një ambient të sigurt dhe mbrojtje të investimeve të tyre.

“Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, dëshiroj të siguroj të gjithë komunitetin e biznesit në Shqipëri që me nënshkrimin e Marrëveshjes për Nxitjen dhe Mbrojtjen e Investimeve, ne marrim përsipër implementimin e plotë të saj, duke marrë nën mbrojtje investitorët nga Shqipëria dhe duke i garantuar bizneset shqiptare të cilat investojnë kapitalin e tyre në Kosovë.”

Bajrami shprehu mirënjohjen e saj ndaj Qeverisë së Republikës së Shqipërisë për bashkëpunimin e treguar sa i përket mënjanimit të barrierave tregtare të paraqitura nga bizneset gjatë viti që lamë pas dhe shprehu kënaqësinë që këtë vit nuk janë raportuar barriera të reja nga bizneset e Kosovës.

Ajo shtoi se nënshkrimin e marrëveshjes së sotme, janë një sihariq i mirë që dy vendet tona të thellojnë edhe më tej bashkëpunimin e shkëlqyeshëm në shumë fusha në dobi të ekonomive të të dyja vendeve tona.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat