Më shumë se 100 mijë punëtorë pa kontrata

Ekonomi

Më shumë se 100 mijë punëtorë pa kontrata

Më: 2 maj 2016 Në ora: 16:20

Në Kosovë llogaritet se rreth 100 mijë qytetarë punojnë në sektorin privat, pa kontrata pune. Këtë shqetësim e kanë paraqitur përfaqësues të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës,(BSPK), sipas të cilëve, kjo është shkelje e të drejtave të punëtorëve.

Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të sektorit privat, në kuadër të BSPK-së, në prononcimin për Radion Evropa e Lirë, thotë se këto shifra i kanë paraqitur edhe tek organet më të larta shtetërore, por, sipas tij, nuk po merren parasysh.

Ai, madje, ka nënvizuar, se një numër i madh i kompanive private nuk respektojnë Ligjin e Punës dhe Kontratën Kolektive. Përveç që punëtorët, thotë ai, nuk posedojnë kontrata të punës, bizneset nuk i paguajnë as kontributet për punëtorë, kurse në shumë raste punëtorët paguhen me pagë mujore 120 euro.

Në Kosovë, sipas shifrave zyrtare, janë të punësuar rreth 300 mijë punëtorë në të dy sektorët. Në sektorin privat thuhet se punojnë mbi 220 mijë punëtorë, kurse në sektorin publik, mbi 81 mijë është numri i të punësuarve.

“Sipas të dhënave të Trustit Pensional të Kosovës, të vitit 2014, thuhet se janë rreth 200 mijë punëtorë të punësuar në dy sektorët, të cilët paguajnë kontributet e tyre. Atëherë automatikisht po del se rreth 120 mijë punëtorë nuk janë në sistemin e punës. Dhe, është shumë e vërtetë se janë mbi 100 mijë punëtorë që nuk kanë kontrata pune dhe secilit institucion ne jemi në gjendje t’i japim të dhëna të sakta”, thotë Azemi.

Por, shifra të ndryshme kanë paraqitur zyrtarë qeveritarë. Zyrtarë të Inspektoratit të Punës, për Radion Evropa e Lirë, më herët kanë thënë se gjatë vitit 2015, kanë evidentuar rreth 1,860 punëtorë pa kontrata.

Por, Jusuf Azemi thotë se kjo shifër mund të gjendet në vetëm tri katër kompani të mëdha në Kosovë.

“Ne mund të themi se mbi 2,300 punëtorë që nuk kanë kontrata pune, mund të gjejmë në dy-tri kompani të mëdha. Ne në çdo kohë jemi të gatshëm, kujtdo që i interesojnë këto të dhëna, të shkojmë bashkë në kompani ku vërehet se në kompanitë e sektorit privat është një gjendje alarmante. Çka mund të themi, kur kemi kompani që më shumë se tetë vjet nuk ka paguar obligimet në Trustin Pensional të Kosovës?! Dhe, për këtë janë të informuara edhe organet kompetente”, shprehet Azemi

Edhe përfaqësues të bizneseve private thonë se në tregun e punës, ka punëtorë pa kontrata pune, por jo mbi 100 mijë.

Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit për Radion Evropa e Lirë, thotë se në bazë të hulumtimeve, 73 për qind e bizneseve kanë deklaruar se të gjithë punëtorët i kanë me kontrata pune dhe paguajnë kontribute për ta.

Kurse, 23 për qind e kompanive, sipas tij, kanë deklaruar se nuk kanë kontrata zyrtare, por kanë marrëveshje, edhe pse sipas ligjeve në fuqi kjo nuk duhet të ndodhë.

“Natyrisht, se ekzistojnë në treg, ne mund të marrin shembull sezonin e verës, ku rritet vëllimi i punës, rritet vëllimi i kërkesës së punës. Shumica hyjnë në treg pa kontratë".

"Një faktor tjetër shumë i rëndësishëm dhe sindikatat nuk e thonë është se disa punëkërkues punojnë pa kontratë, sepse janë në skema të ndryshme sociale dhe ata nuk dëshirojnë ta prishin një skemë, e cila është e garantuar”, thotë Shahini.

Ndryshe, sipas Ligjit të Punës, kompanitë që nuk e respektojnë këtë ligj, mund të gjobiten me para deri në 35 mijë euro.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat