Vetëm gjatë viti 2015 në Kosovë kanë vdekur 9 punëtorë në vendin e tyre të punës, ndërsa 45 të tjerë janë lënduar si pasojë e aksidenteve në vendin e punës, kushteve jo të mira, si dhe moskujdesit të punëdhënësve dhe punëtorëve.
Këto të dhëna u bënë publike sot në një konferencë të organizuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Trupa Ekzekutive e Inspektoratit të Punës, në shënim të Ditës Ndërkombëtare për të Vdekurit në vendin e tyre të punës, ku u diskutua për krijimin e kushteve më të favorshme të punës, në funksion të parandalimit të aksidenteve në vendin e punës.
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi tha se gjendja e sigurisë dhe shëndetit në punë është në përmirësim e sipër edhe pse nuk është e shkëlqyer.
Ai tha se viti i kaluar ka shënuar progres sa i përket sigurisë në punë, duke shtuar se MPSM në këtë vit ka filluar licencimin e zyrtarëve dhe të punëtorëve në kuadër të ndërmarrjeve, të cilët do të jenë përgjegjës për sigurinë në punë.
Abrashi: Viti i kaluar ka shënuar progres në sigurinë në punë
“Viti i kaluar në krahasim me vitet e tjera ka shënuar një progres sa i përket sigurisë në punë. Kjo ka të bëjë me aktivizimin më të madh të inspektoratit të punës, por edhe fushatat dhe sensibilizimin që e kemi bërë përmes mediave.... . Ajo çka kemi bërë në këtë vit është se ne kemi filluar edhe licencimin e zyrtarëve të ndryshëm apo vet punëtorëve në kuadër të ndërmarrjeve apo sipërmarrjeve, të cilët do të jenë përgjegjës për sigurinë në punë. Pra, kemi bërë seleksionimin, trajnimin e tyre dhe tani në një farë mënyrë përgjigjen për punën në kudër të ndërmarrjeve apo bizneseve dhe kjo e ndihmon punën e inspektoratit”, tha ai.
Ai shtoi se një ndër sfidat e MPSM, është numri i vogël i inspektorëve, pasi janë vetëm 50 deri në 60 inspektorë të cilët e mbikëqyrin punën e mbi 50 mijë deri në 80 mijë biznese.
Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës në Kosovë, Basri Ibrahimi tha se në Kosovë ende është tabu të merresh me sigurinë dhe shëndetin në punë. Ai gjithashtu shtoi se më shumë ka rëndësi siguria dhe shëndeti në punë se sa ligji i punës.
Ibrahimi: Në Kosovë ende është tabu të merresh me sigurinë në punë
“Në Kosovë fatkeqësisht ende nuk është një opinion i gjallë sa i përket sigurisë dhe shëndetit në punë, ende është thuajse tabu të merresh me siguri dhe shëndet në punë sepse zakonisht opinioni i Kosovës më shumë merret me marrëdhënien e punës, me kontratën e punës, me orarin e punës se sa me kushtet e punës. Për mua dhe për institucionin që e udhëheq është shumë i rëndësishëm siguria dhe shëndeti në punë sesa edhe vetë ligji i punës dhe marrëdhënia në punë. Një njeri mund të punojë pa kontratë pune, mund të ketë orarë më të zgjatur, mund të mos e shfrytëzojë pushimin vjetor sa duhet, por këto një ditë do t’i fitojë. Nëse nuk e ka kontratën, ai pa pagesë nuk punon, shpërblimin e merr por kontratën mund të mos e ketë. Ndërsa, invaliditeti që i shkaktohet nga lëndimi në vendin e punës, shumë herë ai është i pakthyeshëm dhe mbetet invalid i përjetshëm dhe gjithashtu jeta e njeriut nuk mund të kthehet”, tha ai.
Zëvendësinspektori Agim Millaku tha se gjithnjë e më pak angazhohen punëtorët pa lidhur marrëdhënie të rregullt pune me punëtorët.
Ai shtoi se Inspektorati i Punës i ka kushtuar vëmendje të shtuar kujdesit mjekësor të punëtorëve, derisa paraqiti disa të dhëna zyrtare në lidhje me rastet e lëndimeve në punë.
Millaku: Po i kushtojmë vëmendje kujdesit mjekësor të punëtorëve
“Sa i përket kujdesit mjekësor, inspe ktorati i punës i ka kushtuar vëmendje të shtuar, sidomos kontrollit shëndetësor të punëtorëve. Në vitin 2014, në pikëpamje shëndetësore janë kontrolluar nga mjekësia e punës punëtorët e 134 subjekteve dhe në vitin 2015 janë kontrolluar punëtorët e 451 subjekteve. Nëse e krahasojmë numrin e aksidenteve që ka ndodhë në subjektet punuese gjatë ushtrimit të së drejtës së punës, punëtorët në vendet e tyre të punës, vërejmë se nga viti në vit numri i aksidenteve është në rënie e sipër. Në vitin e 2012 kemi pas 17 raste të vdekjes dhe 45 lëndime, në vitin 2013, kemi pas po ashtu 17 raste të vdekjes në punë dhe 37 lëndime, në viti 2014, numri i rasteve të vdekjes ka zbritur në nëntë vdekje dhe 63 lëndime prej aksidenteve. Ndërsa, në vitin 2015, kemi pas nëntë vdekje dhe 45 lëndime”, tha ai.
Ai shtoi se sipas Organizatës Ndërkombëtare të Punës, çdo 15 sekonda në botë humb jetën një punëtorë në vendin e tij të punës. Ndërsa, sipasILO çdo ditë vdesin 6 mijë e 300 punëtorë në vendin e tyre të punës, kurse gjatë një viti vdesin 2 milionë e 300 mijë punëtor në vendin e tyre të punës.