Ministri Hoti në Konferencën Regjionale ”Western Balkans Sustainable Policies towards EU Integration”

Ekonomi

Ministri Hoti në Konferencën Regjionale ”Western Balkans Sustainable Policies towards EU Integration”

Më: 26 prill 2016 Në ora: 23:43

Fjala përshëndetëse e Ministrit Avdullah Hoti në Konferencën Regjionale ”Western Balkans
Sustainable Policies towards EU Integration”
26.04.2016
I nderuar z. Azemi, (Balkan Green Foundation)
I nderuar z. Zhbogar (EU Office) dhe z. Heintz, (Rockefeller Brothers Fund)
Të nderuar panelistë dhe pjesëmarrës,
Kam kënaqësinë që të hap këtë konferencë në emër të Kryeministrit Mustafa dhe Qeverisë së
Kosovës
Para disa ditësh u mbajt konferenca e lartë e ministrave të mjedisit të Evropës Juglindore. Ministri
Agani theksoi në këtë konferencë se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që “shteti jonë të
jetë pjesëmarrës aktiv në adresimin e çështjeve për ndryshimet klimatike”, edhe pse Kosova nuk
ka pasur mundësi të nënshkruajë Marrëveshjen e Parisit për Klimën për shkak të statusit që
mbajmë në raport me Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Marrëveshja e Parisit paraqet një përpjekje shumëvjeçare për të harmonizuar agjendat e sa më
shumë shteteve sa i përket mbrojtjes së ambientit. Ndërkaq, para 4 ditësh, në shënim të Ditës së
Tokës, këtë marrëveshje e nënshkruan 175 shtete, duke e bërë këtë marrëveshjen me më së
shumti nënshkrime në ditën e hapjes.
Ky është një fakt që tregon se sa e rëndësishme është kjo kauzë për botën në të cilën jetojmë. Po
ashtu, vlen për të na e kujtuar se edhe pse janë ekonomitë e mëdha ato që janë përgjegjëse për
më se gjysmën e ndotjes së mjedisit në nivel global, dëmi mund të zbutet vetëm duke kontribuar
të gjithë, pa përjashtim.
Bota po ballafaqohet me një situatë ku secili qytetar duhet të konsiderojë pasojat klimatike të
veprimeve të tij.
Pra, kemi të bëjmë me një çështje që kërkon veprim lokal, por që ka implikime globale. Në këtë
kontekst. Unë mund të them se qëndroj në linjë me deklaratën e Ministrit Agani, me gjithë sfidat
e shumta politike, ekonomike e sociale me të cilat po përballet aktualisht shteti ynë.
Një pjesë e madhe e asaj se çfarë Kosova mund të bëj në drejtim të politikave të qëndrueshme
janë veçse të përcaktuara përmes normave dhe praktikave më të mira të Bashkimit Evropian.
BE-ja është njëri prej nismëtarëve të Marrëveshjes së Parisit dhe është njëkohësisht ekonomia e
parë e zhvilluar që ka dorëzuar zyrtarisht targetet për
- Reduktimin e emetimit të gazrave serë;
- Energjinë e ripërtërishme, si dhe
- Efiçiencën në energji.
Në këtë kontekst, edhe shtetet e vogla si Kosova, kanë rol të rëndësishëm për të luajtur.
Kosova ka një nivel emetimi relativisht të ulët, por në rritje, për kokë banori. Është me rëndësi që
të reagojmë në kohë në mënyrë që t’u paraprijmë ndikimeve të ndryshimeve klimatike në vend
dhe të arrijmë shfrytëzim sa më efikas të resurseve tona natyrore në kontekst të kërkesave
gjithmonë në rritje sociale e demografike.
Siç e theksova në fillim të fjalës, Kosova nuk është nënshkruese e Marrëveshjes Ndërkombëtare
mbi Klimën, por është nënshkruese e Traktatit të Komunitetit të Energjisë, marrëveshje kjo e
lidhur mes Bashkimit Evropian, shteteve të Evropës Juglindore dhe rajonit të Detit të Zi në 2015.
Obligimet që dalin nga ky Traktat kanë të bëjnë me rritjen e përdorimit të energjive të
ripërtëritshme. Përmes Traktatit, Kosova merr udhëzimet për zbatimin e Acquis Communautaire
për energji, mjedis, konkurrencë dhe burime të ripërtëritshme. Qeveria është e përkushtuar që
të vazhdojë të punojë drejtë arritjes së caqeve që u janë caktuar të gjitha shteteve që synojnë
integrimin në strukturat evropiane:
- Të ulen emetimet e gazrave serë për 20%;
- Të rritet proporcioni i energjisë së ripërtëritshme të konsumit final të energjisë në 20%;
dhe
- Të përmirësohet efiçienca e energjisë për 20%.
Traktati i Komunitetit të Energjisë njeh faktin se Kosova ka bërë hapa të konsiderueshëm në
ristrukturimin e sektorit të energjisë gjatë viteve të fundit, përfshirë këtu lidhjen e marrëveshjes
mes sistemeve të transmisionit mes shtetit tonë dhe Serbisë si element kyç në qasjen në tregun
regjional.
Të tilla sfida që i përkasin më tepër natyrës politike kanë ngadalësuar avancimin e Kosovës në
raport me caqet, ndërkaq përgjatë viteve në vijim Qeveria është e përkushtuar për nxitjen e
shfrytëzimit racional të resurseve të energjisë dhe të efiçiencës së energjisë. Kërkojmë
mbështetjen e të gjithë akterëve relevantë në gjetjen e mënyrave për shfrytëzim të burimeve të
ripërtëritshme të energjisë dhe futjen e teknologjive të reja për zbatimin e standardeve mjedisore
të përcaktuara me ligj.
Shoh se në këtë konferencë kemi një nivel të gjerë përfaqësimi duke filluar nga Qeveria e Kosovës,
partnerët ndërkombëtar si Komisioni Evropian, bizneset dhe shoqërinë civile.
Besoj se të tilla nisma, ku ne mblidhemi për të diskutuar së bashku idetë, janë një hap i
rëndësishëm drejtë gjetjes së zgjidhjeve alternative për energji të qëndrueshme nisur nga
perspektiva e mbrojtjes së ambientit.
Së fundmi jam informuar se në vitin 2016 Lubjana fitoi çmimin “Kryeqytet i Gjelbër i Evropës”
(European Green Capital 2016), kjo na jep të kuptojmë se nëse duam të jemi shtet që integron
zhvillimin ekonomik përbrenda një kornize të politikave të qëndrueshme mjedisore, shembujt
nuk i kemi edhe shumë larg shtëpisë.
Ju uroj punë të mbarë dhe shpresoj që kjo konferencë të mos jetë e fundit e kësaj natyre. Pres
që të dalurat nga kjo konferencë si dhe nismat tjera të ngjashme të ushqejnë një qasje të re ndaj
politikave të qëndrueshme zhvillimore për shtetin tonë.
Ju faleminderit!

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat