Kriza politike zvogëlon interesimin për investime

Ekonomi

Kriza politike zvogëlon interesimin për investime

Më: 26 prill 2016 Në ora: 11:05

Sa herë që flitet për zhvillim, rritjen ekonomike në Kosovë, nga autoritetet kompetente përmenden investimet e huaja.

Këto investime edhe pse konsiderohen si infuzion për zhvillim të përgjithshëm ekonomik, pas shpalljes se pavarësisë në vitin 2008, thuajse për çdo vit kanë pësuar rënie.

Viti 2014, ka qenë periudha kur në Kosovë ka pasur më së paku kapital të huaj, dhe kjo për faktin se gjatë këtij viti për gjashtë muaj radhazi Kosova ka pasur krizë politike.

Kurse, gjatë vitit të kaluar ka pasur një rritje të ndjeshme të investimeve të huaja.

Edhe ministri i Financave Avdullah Hoti, në një postim në rrjetin social Facebook, ka shkruar për trendet ekonomike, ku sipas tij, treguesit ekonomik sugjerojnë se ekonomia e Kosovës është vendosur në një trend afatgjatë të rritjes.

Ai ka përmendur se investimet e jashtme gjatë vitit 2015 kanë qenë mbi 320 milionë euro, krahasuar me 151 milionë euro gjatë vitit 2014.

Sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, thuhet se në muajin janar të këtij viti, vlera e investimeve ka qenë 16.3 milionë euro.

Patundshmëria, qiradhënia dhe aktivitetet tjera biznesore, paraqiten si aktivitetet ekonomike më atraktive për investitorët e huaj, pasuar nga shërbimet financiare.

Vlera financiare më e madhe e investimeve direkte janë nga shteti i Zvicrës, Gjermanisë dhe Shqipërisë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat