​Përmbyllet Panairi “Prishtina 2016”, 100 biznese ekspozuan produktet

Ekonomi

​Përmbyllet Panairi “Prishtina 2016”, 100 biznese ekspozuan produktet

Më: 23 prill 2016 Në ora: 16:52

Është përmbyllur Panairi i XVII i Përgjithshëm Ndërkombëtar “Prishtina 2016”, ku për tre ditë me radhë mbi 100 kompani nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia, ekspozuan produktet e tyre.

Në ceremoninë përmbyllëse kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka thënë se organizimi i këtij panairi nuk do të mund të realizohej pa kontributin e sektorit privat. Ai tha se me kalimin e viteve, pjesëmarrja dhe interesimi për këtë panair është rritur gradualisht.

Sipas Gërxhaliut, të flitet për rëndësinë e bizneseve private është e tepërt, pas sipas tij bizneset private meritojnë përkuljen më të madhe. Oda Ekonomike i ka shpallur heronj bizneset private tha Gërxhaliu, pasi sipas tij, këto janë bizneset që mbushin buxhetin e Kosovës dhe krijojnë vende pune.

Gërxhaliu: Bizneset private meritojnë përkuljen dhe respektin më të madh

“Është panairi i 17-të dhe gjatë gjithë kësaj kohe janë 17 vjet lirie Kosovës dhe shihet që Panairi Prishtina është duke u rritur me kohën, mirëpo ky panair nuk kish me pas atë jehshinë e vetë pa një angazhim dhe kontribut të sektorit privat, në veçanti juve që jeni pjesëmarrës... Se sa jeni të rëndësishëm është tepër të bisedohet, por definitivisht jeni ata që meritoni përkuljen dhe respektin më të madh dhe në emër të Odës Ekonomike ju kemi shpall si heronj të Kosovës pas luftës. Ju jeni ata që krijoni vende të reja të punës, ju jeni ata që kontribuoni në buxhetin e Kosovës, ju jeni ata që i promovoni prodhimet dhe shërbimet ‘Made in Kosova’, dhe ju jeni ata të cilët po shpejtoni proceset integruese të vendit tonë”, tha Gërxhaliu.

Edhe përkundër vështirësive të kompanive dhe bizneseve private në vitet 2014/2015, Gërxhaliu ka falënderuar bizneset që me angazhimin e tyre të ushtruar karshi problemeve politike, janë bërë shpresa dhe garanci që ardhmëria është në duart tona.

Gërxhaliu: Jeni shpresa dhe garancia që ardhmëria jonë është në duar tuaja

“Jemi dëshmitar të asaj që viti 2014 dhe 2015, i kanë pas vështirësitë e veta nga dimensioni politik por me një punë dhe një angazhim tuajin që keni ushtruar karshi problemeve politike, jeni një shpresë dhe garanci që ardhmëria është në duart e juaja. Ne patëm një takim me kryeministrin ku adresuam brengat e juaja që ju preokupojnë, prandaj edhe është kuptuar që prioritet në Kosovë duhet të jetë zhvillimi ekonomik. Keni arsye të jeni krenar, keni arsye të mburreni me punën që e ofroni por edhe Kosova duhet të jetë krenare me këtë vullnet që ju jeni duke e promovuar çdo ditë e më tepër”, ka shtuar Gërxhaliu.

Panairit i XVII i Përgjithshëm Ndërkombëtar “Prishtina 2016”, ka qenë i hapur për tri ditë radhazi.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat