Instat publikon botimin “Tregtia e jashtme e mallrave”, 2011-2015

Ekonomi

Instat publikon botimin “Tregtia e jashtme e mallrave”, 2011-2015

Më: 22 prill 2016 Në ora: 13:10

Instituti i Statistikave, Instat publikoi të premten statistikat e tregtisë së jashtme të mallrave për harkun kohor 2011-2015, një instrument ky shumë i rëndësishëm për marrësit e vendimeve në sektorët publik dhe privat. Ato ndihmojnë në përgatitjen e bisedimeve bilaterale dhe multilaterale në kuadrin e politikave tregtare dhe për vlerësimin e ekonomive të tregut. Ato ndihmojnë gjithashtu kompanitë në studimin e tregut dhe në përcaktimin e strategjive të tyre tregtare.

Në publikimin e radhës “Tregtia e jashtme e mallrave”, Instat paraqet ecurinë e volumit tregtar të mallrave, bilancin tregtar dhe informacione të tjera më të detajuara për harkun kohor 2011-2015.

Gjatë periudhës 5-vjeçare (2011-2015) vihet re që trendi ka qenë në rritje për eksportet, përveç vitit 2015 ku kemi ulje të tyre, ndërsa për importet ka qenë me luhatje (ulje dhe ngritje). Gjatë kësaj periudhe vërehet një rritje mesatare vjetore e eksporteve me 8,9 %. Në rastin e importeve kemi një ritëm rënës në vitet 2012-2013 ndërsa rritje në vitet e tjera. Për periudhën 2011-2015, rritja mesatare vjetore është 2,9 %.

Gjatë kësaj periudhe defiçiti tregtar është përmirësuar, duke shënuar ulje mesatare vjetore me 0,5 %.

Grup produktet që zënë një pjesë të konsiderueshme në eksportet shqiptare për periudhën 5-vjeçare janë eksportet nga përpunimi aktiv i produkteve tekstile dhe këpucët. Për vitin 2015 më të eksportuara janë grupet e produkteve: “Produkte minerale” me 26,5 %, “Tekstilet dhe artikujt prej tyre” me 18,9 %, “Veshjet e këmbëve” me 18,2 % dhe “Metale bazë dhe artikujt prej tyre” me 14,1 % të eksporteve.

Gjatë periudhës 2011-2015, eksportet në vlerë kanë shënuar rritje të konsiderueshme drejt Italisë, Kosovës, Spanjës dhe Maltën. Në krahasim me pesë vite më parë, harta e eksporteve shqiptare duket se është diversifikuar ndjeshëm. Në vitin 2015 eksportet me Italinë zunë 50,9 % të eksporteve nga 53,3 % që zinin në vitin 2011; me Kosovën zunë 8,6% të eksporteve nga 7,4 % që zinin në vitin 2011; me Spanjën zunë 5,2 % të eksporteve nga 3,6 % që zinin në vitin 2011; me Maltën zunë 4,6 % të exporteve nga 2,4 % që zinin në 2011.

Partneri me peshën më të madhe në eksportet me Shqipërinë është Italia e cila zë 50,9 % në vitin 2015. Partneri i dytë tregtar në eksporte për vitin 2015, është Kosova e cila zë 8,6 % të eksporteve. Eksportet me Spanjën gjatë vitit 2015 zënë 5,2 % të eksporteve. Partneri i katërt tregtar për nga pesha e eksporteve është Malta e cila zë 4,6 % të eksporteve gjithsej në vitin 2015. Më tej, në strukturën e eksporteve në vitin 2015 për nga pesha, vijojnë Greqi me 3,9 %, Gjermania me 3,1 %, Turqia me 2,9 %, Kina me 2,7 % etj.

Gjatë kësaj periudhe eksportet me Italinë janë rritur pothuajse në të gjitha grupet e mallrave. Peshën më të madhe e zënë grupet: “tekstile dhe këpucë” dhe “minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike”. Eksportet shqiptare drejt Kosovës janë përqëndruar në grupmallrat “minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” dhe “materiale ndërtimi dhe metale”. Eksportet drejt Spanjës janë gjithashtu të dominuara nga “minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike”. Eksportet drejt Greqisë janë të përqendruara tek grupet: “tekstile dhe këpucë”, “ushqim, pije dhe duhan” dhe “materiale ndërtimi dhe metale”

Në vitin 2015 eksportet me vendet e BE zënë 75,3 % të eksporteve duke u rritur 27,4 %, krahasuar me 2011; ndërsa eksportet me vendet e CEFTA (Maqedonia, Mali i Zi, Bosnjë-Hercegovina, Serbia, Kosova dhe Moldavia) zënë 14,2 % të eksporteve duke u rritur 42,3 % krahasuar me 2011.

Grup produktet që dominojnë më tepër importin gjithsej për periudhën 2011-2015 janë: “makineri, pajisje mekanike dhe elektrike”, “produkte minerale” dhe “tekstile dhe artikuj tekstile”. Për vitin 2015 këto grup produkte zunë respektivisht 15,1 %, 11,0 % dhe 10,1 % të importit gjithsej. Pesha e importeve nga Kina ka vijuar të rritet përgjatë këtij harku kohor, duke arritur në 8,6 % më 2015 nga 6,4 % e importeve gjithsej që ishte në vitin 2011. Kurse peshat e importeve nga Italia dhe Greqia kanë ardhur duke u ulur. Për Italinë importet janë ulur nga 30,5 % që ishte në vitin 2011, në 30,3 % në vitin 2015 dhe për Greqinë nga 10,6 % që ishte në vitin 2011, në 7,8 % në vitin 2015.

Në vitin 2015, partneri që zë peshën më të madhe në importe është Italia me 30,3 %. Partneri i dytë në importe është Kina me 8,6 %. Turqia, është partneri i tretë tregtar përsa i përket peshës në importe me 8,0 % të totalit në vitin 2015 nga 5,6 % që ishte në vitin 2011 e ndjekur nga Greqia me 7,8 % të importeve në vitin 2015 nga 10,6 % që ishte në vitin 2011. Në strukturën e importeve në vitin 2015, partnerët me peshën më të madhe vijojnë, Gjermania me 6,7 %, Serbia me 3,8 %, Franca me 2,2 %, Rusia me 2,2 % etj.

Në vitin 2015 importet nga vendet e BE zënë 61,7 % të importeve duke u ulur 5,4 %, krahasuar me 2011; ndërsa importet nga vendet e CEFTA zënë 7,6 % të importeve duke u rritur 3,2 %, krahasuar me 2011.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat