Agjenci nga Shqipëria, Ulqini dhe nga vendi promovojnë turizmin

Ekonomi

Agjenci nga Shqipëria, Ulqini dhe nga vendi promovojnë turizmin

Më: 21 prill 2016 Në ora: 11:21

(E plotësuar) - Agjenci turistike nga Shqipëria, Ulqini dhe nga vendi po promovojnë një gamë të gjerë të destinacioneve turistike dhe ofertave të ndryshme në Panairin e Turizmit, Hotelerisë dhe Gastronomisë “Travel Fair 2016”, i cili u hap sot në Pallatin e Rinisë me edicionin e 13-të me radhë.

Në hapje u vlerësua se ky panair është një mundësi e mirë për këmbimin e përvojave, arritjen e kontratave dhe promovimin e produkteve të reja.

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, tha po bëjnë përpjekje që ta rrisin efikasitetin dhe ta promovojnë ambientin e biznesit që Kosova të bëhet si destinacion turistik. Sipas Bajramit, nëse kosovarët shkojnë t’i kalojnë pushimet gjatë verës në Shqipëri dhe në Mal të Zi, duhet që edhe qytetarët e këtyre dy vendeve bregdetare të vijnë të shijojnë lartësitë e bjeshkëve në Kosovë.

Bajrami: Kosova të bëhet destinacion turistik

"Në kuadër të turizmit po bëjmë shumë përpjekje që ta rrisim efikasitetin dhe të promovojmë ambientin e biznesit që Kosova të bëhet si destinacion turistik...Ne kemi shumë asete të çmueshme për ta marrë këtë identitet, kemit urizmin malor, i cili kishte me qenë një masë komperative përkrah turizmit në Shqipëri, përkrah bregdetit të Ulqinit. Nëse ne shkojmë atje që t’i kalojmë pushimet gjatë verës dhe të freskohemi me ujin e detit, ne ftojmë qytetarët nga Mali i Zi, dhe ata nga Shqipëria e Maqedonia që të shijojnë lartësitë e bjeshkëve tona, të shijojnë turizmin gjatë dimrit”, tha Bajrami.

Ajo tha se kanë hartuar Planin për Zhvillimin e Turizmit deri në vitin 2020, që është në fazën përfundimtare.

Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Turizmit në Shqipëri, Ardit Qollaku, tha se Kosova dhe Shqipëria kanë një traditë, një gjuhë dhe një komb dhe operatorët turistik, që nëpërmjet pakove të tyre të përbashkëta të krijojnë nismën dy paleshe të shkëmbimit të vizitorëve mes Kosovës dhe Shqipërisë që të ketë një rritje të vazhdueshme dhe të qëndrueshme të turistëve nga të dyja anët.

Qollaku: Të kemi një rritje të vazhdueshme të turistëve

“Kemi një traditë, flasim një gjuhë, jemi një komb dhe Shqipëria do të jetë gjithmonë përkrah Kosovës në eventet e tilla. Shqipëria nuk e ka vetëm detin, por ka edhe kulturë, traditë, ka edhe histori. Jeni të mirëpritur të vini e të vizitoni Shqipërinë, është vendi i juaj, është deti juaj është edhe historia juaj. Ftoj operatorët turistik, që nëpërmjet pakove të tyre të përbashkëta të kenë mundësi të krijojnë nismën dy paleshe të shkëmbimit të vizitorëve mes Kosovës dhe Shqipërisë në mënyrë që ne të kemi një rritje të vazhdueshme dhe të qëndrueshme të turistëve nga të dyja anët”, tha Qollaku.

Kryetari i komunës së Ulqinit, Nazif Cungu tha se Ulqini mbetet perla e turizmit në rajon, me qytetin e pastër dhe me ujin e kthjellët të detit.

Cungu: Ulqini perla e turizmit

“Ne do të kujdesemi që vazhdimisht Ulqini të jetë qyteti më i pastër, të ketë ujin e detit të kthjellët dhe të jetë perla e prezantimit të turizmit në rajon”, tha Cungu.

Në panair po marrin pjesë Agjenci turistike nga Kosova, Mali i Zi dhe Shqipëria për promovimin e turizmit. Panairi mbetet i hapur sot dhe nesër.

Po në të njëjtin vend dhe në të njëjtën kohë është hapur edhe panairi ndërkombëtar i edukimit, për të cilin ministri i Arsimit, Arsim Bajrami tha se pa edukim nuk ka as turizëm dhe as zhvillim.

Bajrami: Jemi duke bërë një rishikim strategjik të programeve tona të edukimit

“Jemi duke bërë një rishikim strategjik të programeve tona të edukimit, që të përshtatemi edukimin tonë me nevojat e tregut të punës, që të fusim frymën e ndërmarrësish dhe të biznesit tek të rinjtë tanë. Të tregojmë që ëndrra për t’u bërë një biznesmen dhe një ndërmarrës i suksesshëm të krijohet një sistem i edukimit”, tha Bajrami.

Ministri Bajrami tha se pa dyshim se Kosova ka një rini shumë inteligjente, e cila meriton që të ketë një edukim dhe aftësim profesional të nivelit Evropian.
Hapet Panairi për Turizëm

Sot janë hapur dy panaire ndërkombëtare,ai për edukim dhe tjetri i për turizëm.

Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami tha se ky panair hap mundësi të shumta për të rinjtë, sepse përmes edukimit krijojmë një rini të edukuar me shkathtësi që nesër të bëhen bartës të tranzicionit.

"Pa dyshim se ne kemi një rini shumë inteligjente e cila meriton që të ketë një edukim dhe aftësim profesional të nivelit Evropian", tha Bajrami.

Kurse, për panairin e turizmit dhe rëndësinë e tij foli ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Hykmete Bajrami, e cila tha se pa edukim nuk mund të zhvillohet turizmi e as ekonomia.

"Në kuadër të turizmit po bëjmë shumë përpjekje që ta rrisim efikasitetin dhe të promovojmë ambientin e biznesit që Kosova të bëhet si destinacion turistik", tha Bajrami.

Në panair po marrin pjesë dhjetëra kompani nga Kosova, Mali i Zi dhe Shqipëria për promovimin e turizmit. Panairi mbetet i hapur sot dhe nesër./I.Shabani/

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat