Qytetarët e rrezikuar nga produktet e kontrabanduara ushqimore

Ekonomi

Qytetarët e rrezikuar nga produktet e kontrabanduara ushqimore

Më: 21 prill 2016 Në ora: 11:01

Produktet me cilësi të dyshimtë të cilat rrezikojnë shëndetin e qytetarëve janë vazhdimisht të pranishme në tregun e Kosovës, thonë përfaqësues të bizneseve në vend dhe organizatat që merren me mbrojtjen e konsumatorit.

Megjithatë, këto dyshime hedhen poshtë nga mekanizmat shtetëror, përgjegjës kryesor për kontrollin e ushqimit në vend.

Përfaqësuesit e biznesit, dyshimin në cilësinë e produkteve e vënë tek mallrat të cilët hyjnë në Kosovë në mënyrë të kontrabanduar, të cilat i ikin kontrollit të pikave kufitare dhe kontrollit të Agjencisë së Veterinarisë dhe Ushqimit në Kosovë.

Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit Agim Shahini, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se jo të gjitha produktet të cilat hyjnë në Kosovë arrijnë të kontrollohen nga mekanizmat kompetent.

“Derisa kontrabanda dhe informaliteti në tregun e Kosovës është e rritur deri në 35 për qind, po aq është edhe dyshimi për konsum të të gjitha produkteve që nuk i nënshtrohen kontrollit. Mekanizmat që janë të thirrura për kontrollin e ushqimit në Kosovë kanë një staf të limituar dhe që nuk arrijnë të përfshijnë të gjithë pikat e në veçanti në pikat ku shiten këto produkte”, shton Shahini.

Shëndeti i qytetarëve të Kosovës nga produktet më afat të skaduar apo dhe të dyshimta, po shkaktohet edhe nga tregtarët, të cilët siç thotë Shahini, këtë po ë bëjnë përfitime financiare.

Sidoqoftë, përfaqësuesit e Agjencisë së Veterinarisë dhe Ushqimit, të cilët janë përgjegjës kryesor për kontrollin e ushqimit në Kosovë, sigurojnë qytetarët për produkte cilësore.

Valdet Gjinovci, kryeshef ekzekutiv në Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë, thotë për Radion Evropa e Lirë, se produktet të cilët importohen, si dhe ato të cilët prodhohen në Kosovë iu nënshtrohen një kontrolli rigoroz, dhe se nuk duhet të ketë asnjë dyshim për cilësinë e tyre.

“Ne si AVUK në bazë të kompetencave të cilët i kemi çdoherë veprojmë në kuadër të detyrave dhe përgjegjësive që neve na obligojnë. Produktet të cilat janë të pasigurta ato nuk lejohen të importohen, kjo vlen edhe për ato të cilat prodhohen edhe në Kosovë. Produktet të cilat nuk plotësojnë kushtet për konsumim asgjësohen dhe nuk lejohet të bien në dorën e konsumatorit në vendin tonë”, thotë Gjinovci.

Inspektorati Fitosanitar i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë vetëm gjatë ditës së djeshme ka asgjësuar afër 30 mijë copë fidane mjedre, të infektuara me sëmundjen e kancerit të rrënjës (Agrobacterium tumefaciens).

Ngarkesa me material fidanor të mjedrës, sipas zyrtarëve të AVUK-it, është importuar nga shteti i Serbisë, dhe kishte pasur destinim tregun e Kosovës.

Valdet Gjinovci tregon se Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, është e pajisur edhe laboratorë të ushqimit, ku kryhen analiza të shumta sa i përket sigurisë së produkteve ushqimore.

“Lirisht mund të themi se produktet të cilat ne i konsumojmë dhe i përdorim janë produkte të cilat i plotësojnë kriter dhe kushtet e sigurisë dhe janë produkte të sigurta ashtu sikurse në vendet e Bashkimit Evropian”, shton Gjinovci.

Kritika të vazhdueshme për cilësinë e produkteve të dyshimta në Kosovë bën organizata e vetme joqeveritare për mbrojtjen e konsumatorit.

Kryetari i kësaj organizuare Selatin Kaçaniku, në prononcimet e tij dhënë për Radion Evropa e Lirë kishte thënë se qytetarët e Kosovës rrezikohen vazhdimisht nga produktet e dyshimta.

Ndërkohë, edhe qytetarë të intervistuar nga Radio Evropa e Lirë, kishin shprehur shqetësimet e tyre lidhur më cilësinë e dyshimit të produkteve.

Arjeta një qytetare nga Prishtina, është mjaft e kujdesshme kur blen një produkt, pasi që i kishte ndodhur që të blej produkt me cilësi të dyshimtë.

“Nuk i besoj shumë produkteve të cilat shiten tek ne. Problemi qëndron në atë se nuk ruhen në mënyrë adekuate çfarë e kërkon një produkt. Kam pasur raste kur kam blerë produkte i cili dyshohej për nga cilësia”, thotë ai.

Vetëm gjatë vitit 2015, mbi 600 mijë kilogramë / litra, produkte me afat të skaduar dhe cilësi të dyshimtë janë asgjësuara nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat